English

Sfida reale për kreun e PD-së

Afrim Krasniqi - Kryeministri në ikje u tregua “zemërmirë” kur në mbledhjen e kryesisë humbëse të PD-së tha se pasuesin mund ta zgjidhte vetë, por vendosi të ndjekë rrugë tjetër, ta votojë anëtarësia. Votimi me parimin 1 anëtar – 1 votë është zhvillim pozitiv, edhe pse i vonuar, por ai mund të bëhet mekanizëm demokratik vetëm kur zbatohet de facto, jo vetëm de juro. Britania e Madhe e aplikoi fillimisht për garën midis kandidatëve potencialë, individëve me program e vizion të ndryshëm politik, njerëzve që kanë kurajë, kanë projekt, kanë ide dhe kanë ambicie të marrin përgjegjësi. Në rastin aktual në PD mungojnë të gjithë këta elementë. Nuk ka as program, as ide, as kurajë, as projekt, as garë alternative dhe as sens përgjegjësie. Ka vetëm ambicie dhe ca emra në qarkullim. Ata nuk dalin në garë publike por shkojnë tek zyra e kryetarit të dorëhequr, shënojnë emrin dhe pastaj pyesin se ku ndodhet selia e partisë.

Ajo që po ndodh sot në PD të ngjason me historinë e ujkut me gjurmët. Kërkojnë gjurmët dhe harrojnë një “detaj”: sovrani sapo ka votuar me 1 milion vota kundër, pro ikjes së saj nga pushteti, kundër modelit të lidershipit që ofron PD, kundër sistemit të saj politik dhe organizativ. Kanë votuar të gjithë me një zë, nga Shkodra në Kavajë, nga Mamurrasi në Bathore, nga Peshkopia në Lumin e Vlorës, nga Divjaka në Korçë, nga Durrësi në Lazarat. Sepse kanë një motiv: shqiptarët janë kundër arrogancës, kundër mospërfilljes, kundër politikës virtuale, kundër sistemit të kleptokracisë, kundër modelit imitues të periudhës së partisë – shtet, kundër atyre që mbijetojnë në politikë përmes konfliktit, kundër atyre që e mendojnë veten mbi Zotin, refuzojnë evolucionin, ndryshimin dhe përgjegjësinë publike.

PD thotë se ka pranuar përgjegjësinë e humbjes dhe është gati për analizë. Si bëhet ajo? Zgjidhja është emergjente: të caktojmë kryetarin dhe pastaj bëjmë analizën! Si mund të bëhet analiza pas zgjedhjeve? Si mund të zgjidhet kryetari i ri pa pyetur strukturat dhe anëtarët se çfarë ka ndodhur, ku është gabuar, çfarë duhet bërë për të ndryshuar? Po sikur analiza të tregojë se kryetari i ri të jetë vetë pjesë e përgjegjësisë? Cili model është marrë për bazë? Edhe PPSH më1991 shkarkoi Byronë Politike pastaj zgjodhi drejtuesit. Edhe partitë e djathta në Poloni, Hungari, Rumani, Bullgari, etj, pas humbjeve drastike fillimisht ndryshuan ekipin drejtues, pastaj reformuan programin dhe strukturën dhe në fund zgjodhën pasuesit e rinj në krye të forcës së reformuar. Tek PD ende nuk ka sy të shikojnë dhe as veshë të dëgjojnë se kjo që po ndodh nuk ka sens, është fiktive, nuk ka përmbajtje dhe as jetëgjatësi. Mund të jetë një zgjidhje e mirë për të qëndruar gjatë në opozitë, por një zgjidhje shumë e keqe për të tentuar rikthimin në pushtet përmes reformimit dhe alternativës së besueshme.

PD nuk ka humbur vetëm zgjedhjet shifrore. Ajo dhuroi 7 mandate parlamentare me vetëm 9.800 vota, pra me një total votash më pak sesa kufiri për një mandat real parlamentar. Ajo humbi 12% të votuesve që nën shembullin e kryeministrit me 3 deputetët socialistë edhe ata e tregtuan votën e tyre tek e majta, LSI. PD ka humbur dy nga tre presidentë (sepse nuk i do kryetari), ka humbur një nga dy kryeministrat (sepse as atë nuk e do), ka humbur 70% të listës themeluese të vitit 1990 (sepse nuk duhen dëshmitarë historikë), ka humbur 70% të ministrave në vite (sepse janë të panevojshëm), ka humbur shumicën e ish përndjekurve politikë, shumicën e ish pronarëve, shumicën e ish elitës intelektuale, shumicën e votave të të rinjve dhe shumicën e qyteteve-metropole, përfshirë qendrat antikomuniste si Shkodra apo Kavaja.

Ajo ka humbur identitetin politik, besimin se mund të reformohet, vlerat e larta morale që e themeluan dhe mbështetjen idealiste që e mbijetoi më 1991 dhe 1997. Ajo nuk është më një parti e djathtë, por një parti klientele, e shkëputur nga realiteti, e dominuar nga 2-3 familje politike dhe të emëruarit e tyre deputetë, është një parti ku nuk votohet, nuk diskutohet, nuk debatohet, nuk konkurrohet, nuk flitet dhe as nuk dëgjohet. “Demokratët e pushtetit” kanë pak lidhje me “demokratët e thjeshtë”. Të parët kanë pasuri,drejtojnë hipoteka e dogana, fshatra turistikë dhe biznese pa fund me burim politik, ndërtojnë pallate dhe numërojnë miliona euro poshtë krevatit, kurse të dytët janë e mbeten idealistë, besimtarë në vlera e parime, të gënjyer e keqpërdorur përgjatë viteve, në kushte mbijetese dhe me pritshmëri të paguajnë dyfish çmimin e lartë të dëbimit të pritshëm nga pushteti politik. Më 1991 PD pati përballë regjimin, më 1997 pati armët, por tani ka koalicionin masiv qytetar prej 1 milion votash që për shkak të zhgënjimit të thellë u detyrua të kalojë në anën tjetër, - pa ofruar de facto rilindje as dhe optimizëm rotacioni politik. Ata zgjodhën të keqen më të vogël, - një zgjidhje oportune, por dramatike dhe fatkeqe për një vend me nevoja e pritshmëri të mëdha si Shqipëria.

PD ka një “kushtetutë” statutin e saj të miratuar më 2005 dhe ndryshuar më 2010. Neni 47 thotë: kur kryetari jep dorëheqje, “sekretari i përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar dhe cakton një zv/kryetar për drejtimin e partisë deri në zgjedhjet e reja”. Kryetari historik Berisha ka dhënë dorëheqje, por statuti u zhduk nga interneti, nuk gjendet më, dhe bashkë me të edhe rregullat e parimet kushtetuese partiake. Sekretari i Përgjithshëm nuk dëgjohet dhe as shihet në publik, zv/kryetarët po ashtu, vetë i dorëhequri rikthehet dhe drejton pa pasur nevojë për Këshill Kombëtar dhe as për struktura të tjera produkte statusore. Kur humbet zgjidhja institucionale atëherë kalohet në zgjidhje populiste extra- institucionale, siç ka ndodhur shpesh me këtë parti në 8 vitet e fundit dhe siç po ndodh edhe tani. Askush nuk e përmend këtë fakt domethënës në debatin për pasuesin, procedurën dhe emrin. Logjika institucionale nuk vepron, nuk pranohet, siç është refuzuar çdo kritikë e sugjerim publik në këto 10 vitet efundit. Dhe gara është keqkuptuar dhe deformuar në thelbin e saj.

PD nuk ka nevojë për një drejtor të ri në seli, as për një kostum të ri në krah të kryeministrit në ikje, as për pazar emrash e postesh të ndara në Rogner e Sheraton, as për investim në nevojën e disa individëve për imunitet politik. PD ka nevojë për shumë më tepër, për riformatim, rithemelim, duke nisur që nga rishkrimi i programit të ri të vlerave e qëllimeve, tek ndarja e plotë nga modeli dhe trashëgimia negative e të kaluarës së afërt. Ajo duhet të gjejë forcë ta shohë të vërtetën në sy, të ballafaqohet me realitetin dhe qytetarët, të kërkojë ndjesë, shumë ndjesë dhe të garantojnë standarde demokratike për veten që pastaj të mund ta synojë këtë edhe për shoqërinë e shtetin. Miti i Sh.Galicës “plumbi do plumb” nuk vlen për një parti që përbën nevojë e pasuri kombëtare. Arroganca nuk mundet me arrogancë, modeli negativ nuk mundet me imitim, regjimi klientelist nuk mundet duke zëvendësuar kreun e klientelës, modeli piramidal nuk ndryshon duke ndryshuar moshën e faraonit në piramidë. Duhet shembur piramida dhe të barazohen qytetarët, duhet spastruar klientela dhe të rikthehet meritokracia dhe vlera, duhet refuzuar arroganca dhe të dominojë aftësia për gjykim, dialog, gjakftohtësi dhe zgjidhje optimale afatgjata.

Gara reale kërkon zgjidhje të urtë, reale dhe institucionale. Ajo kërkon mbylljen e kapitullit të zgjedhjeve dhe analizës së tyre për të vijuar me kapitullin e orientimit në katër ose tetë vitet e ardhshme. Kjo kërkon debat e garë midis dy e më shumë platformash e vizionesh të pavarura, kërkon llogaridhënie dhe kontratë të kushtëzuar të besimit politik nga anëtarët, kërkon reformim në program dhe ofertë publike mbi ndryshime, aleancat dhe pritshmërinë. Kjo e dallon një parti dhe politikë serioze nga modelet amorfe të tranzicionit. Kjo dallon modelin e liderëve që fitojnë për shkak të aftësisë dhe atyre që presin të fitojnë për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me garën demokratike.

Natyrisht që edhe në këto rrethana zgjidhjet optimale janë të shumta. Mund të ketë një model përfaqësimi si më 1991 apo 1997, mund të ketë një model të importuar nga lindja tashmë perëndimore për caktimin e disa personalitete të urtë në krye të procesit reformues, por në çdo rast duhet të ketë analizë, ballafaqim me humbjen, ikje dinjitoze nga pushteti dhe më pas, përmes proceseve të shumëfishta edhe zgjedhje të të gjithë ekipit drejtues nga anëtarësia. Nëse kjo nuk ndodh, siç edhe po paralajmërojnë zhvillimet e fundit, - nëse refuzohet analiza dhe realiteti, nëse emërohen pasuesit dhe kryetari de facto drejton në prapaskenë si PPSH më 1991 apo nëse gara përfundon në pazar formal individësh...atëherë PD i bën dhuratën më të mirë të majtës në pushtet dhe njëherësh i sjell humbjen më të madhe dhe afatgjatë të djathtës reale shqiptare, shoqërisë dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Një humbje që e bën atë të 23 qershorit të përfillshme në raport me përmasat, kohën dhe koston e saj.

KOMENTE