English

Bujar Nishani mesazh urimi Presidentit amerikan Barack Obama

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani i dërgoi një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SH.T.Z. Barack Obama. Në mesazhin e Tij, Presidenti Nishani shkruan:

“I nderuar Zoti President,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më miqësore me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Me këtë rast, më lejoni, Zoti President, të rikonfirmoj marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe t’Ju siguroj për vendosmërinë time të palëkundur për t’i forcuar këto marrëdhënie edhe më tej në të ardhmen.

Shqipëria dhe shqiptarët janë dhe do të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që na kanë ofruar në sfidat më të rëndësishme me të cilat kombi shqiptar është përballur përgjatë historisë së tij. Roli i SHBA-së ka qenë i pazëvendësueshëm në anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si dhe në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në gjithë rajonin tonë.

Populli shqiptar mbetet seriozisht i angazhuar për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin ndërkombëtar në këtë drejtim. Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon, si dhe do të kontribuojë në drejtim të forcimit të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në Ballkan e më gjerë.

Duke përsëritur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta, si dhe duke Ju uruar suksese në misionin Tuaj të rëndësishëm, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Sinqerisht,

Bujar Nishani”

KOMENTE