English

Këshilli Kombëtar i Territorit miraton një sërë lejesh mjaft të rëndësishme

Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i mbledhur sot nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, shqyrtoi dhe miratoi planin kombëtar sektorial për gazsjellësin TransAdriatik, lejet zhvillimore komplekse për ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe disa plane të përgjithshme vendore. KKT miratoi:

1. Plani Kombëtar Sektorial për gazsjellësin Trans Adriatik (projekti TAP)

2. Plani i Integruar Sektorial për zonat e vendburimeve Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe vendburimin e Delvinë.

Ky plan ndërmerret në kuadër të marrëveshjes hidrokarbure për zhvillimin, prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe vendburimin e Delvinë midis kompanisë Albpetrol dhe kompanisë Stream Oil, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2007. Plani shtrihet në Jugperëndim të Shqipërisë dhe përfshin territore të qarkut Fier dhe Vlorë. Plan përfshin analiza e elementeve territorialë, skenarët kryesorë të zhvillimit, vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe standardet mjedisore të sigurisë etj.. Zona përfshin territore të bashkisë Delvinë dhe të 10 komunave.

3. Leje zhvillimore komplekse për zhvillimin e prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Patos- Marinzë, të shoqërisë Bankers Petroleum Albania.

4. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e objektit Shesh Shpimi dhe infrastruktura lidhëse për Pusin Kërkimor 5350, blloku “F”, komuna Topojë, qarku Fier, të shoqërisë Bankers Petroleum Albania.

Zona e lejes zhvillimore komplekse përfshin brenda kufirit të saj territore të 12 komunave dhe dy bashkive. Dy prej këtyre njësive të qeverisjes vendore e kane territorin e tyre plotësisht të përfshirë në këtë studim, komuna Zharrës dhe Bashkia Patos. Plani i propozuar për infrastrukturat kryesore përfshin kryesisht propozimet për sektorin specifik të këtij plani, sektorin e hidrokarbureve dhe infrastrukturave të tij. Efekti i pare pozitiv është infrastruktura rrugore, e parashikuar të ndërtohet ose rehabilitimi i infrastrukturës ekzistuese rrugore, aktivitete të parashikuara për t’u zhvilluar nga industria e hidrokarbureve, që në mënyrë të drejtpërdrejtë prek të gjithë komunitetet e zonës, duke u përmirësuar atyre ndjeshëm sistemin e transportit.

Zona e dytë gjendet në kufi me vendburimin Patos-Marinëz dhe paraqet perspektivë për prodhim gazi natyror dhe nafte.

5. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentralit Lengarica1 dhe Langarica2, në komunën Petran, rrethi Përmet, për shoqërinë “Lengarica & Energy” sh.p.k.

HEC-i i Lengaricës, investim me vlerë 1 980 904 000 lekë, do të ketë një fuqi të instaluar 8.94 megavat dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 36 milionë kilovat/orë. Hidrocentrali Lengarica është parashikuar të ndërtohet në pjesën e poshtme të lumit me të njëjtin emër në Shqipëri. Zona ku do të ndërtohet ky HEC i përket komunës Petran, rrethi Përmet. Ujërat e lumit të Lengaricës, pasi dalin nga turbinat e HEC-it, derdhen në lumin e Vjosës.

Kryeministri e vlerësoi një projekt shumë të dobishëm, i cili ndërtohet në një zonë me potenciale zhvillimore, me ujëra termale ndër më të mirat. Ndërtimi i hidrocentraleve, tha Kryeministri, e gjallëron dhe urbanizon më mirë këtë zonë. Kompania është një kompani serioze dhe me eksperiencë të madhe në këtë fushë.

6. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Curraj, për shoqërinë koncesionare “Telemenia Curraj”sh.p.k, qarku Kukës

Kompleksi hidroenergjetik i Currajve është i kompozuar nga 11 HEC – e, me fuqi të instaluar 105 193 kW. Kaskada Curraj ndodhet në rrethin e Tropojës. Territori është i pozicionuar në krah të Liqenit të Komanit. Kjo kaskadë përdor potencialin ujor të Lumit Curraj dhe degëve të tij: Përroi i Vogël, Përroi i Zi dhe Përroi i Bardhë; Lumi i Pajës; Lumi i Kuqit. Projekti për ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën mbi lumin Curraj është ndër projektet më të rëndësishme hidroenergjetike, me vlerë investimi 16,594,599,800 lekë.

Kryeministri e vlerësoi studimin si më seriozin, që ka mundësuar që kapaciteti i kaskadës i diskutuar prej vitesh në 25 megavat të arrijë në mbi 100 megavat. “Kompania izraelite është ndër kompanitë më serioze, me një partner shqiptar serioz” , - u shpreh Kryeministri, duke theksuar se “është një kaskadë e mrekullueshme, në një nga vendet më panoramike të Shqipërisë. Zona ku ndërtohet është ndër më të bukurat, ku krahas njerëzve kanë jetuar edhe legjendat. Degët e Alpeve janë jashtëzakonisht të leverdishme. Burimet ujore nuk janë të mëdha, por janë të qëndrueshme”.

7. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentralit Tuçep 2, në komunën Ostren, qarku Dibër, për shoqërinë “Duka T2” sh.p.k.

Hidrocentrali, investim me vlerë 166 000 000 lekë, do të shfrytëzojë ujërat e përroit të Tuçepit dhe do të ketë fuqi të instaluar 1400 kW. Zona e marrë në studim ndodhet në të djathtë të rrjedhës së përroit Tuçep dhe kanalit marrës në anën e rrugës automobilistike Librazhd-Peshkopi, rreth 1.5 kilometra larg fshatit Tuçep.

8. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentraleve Orenja Power, rrethi Librazhd, qarku Elbasan, për shoqërinë “Orenja Power” sh.p.k.

Zona e studimit ndodhet në Malësinë e Librazhdit, qarku Elbasan. Kompleksi hidroenergjetik i kaskadës Orenjë, investim me vlerë 116, 596, 402 lekë, përbëhet nga tetë hidrocentrale të vegjël, me të instaluar prej 16.72 kW dhe prodhim vjetor 76 milionë kilovatorë.

9. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentraleve Strelca1, Strelca2, Strelca3 në komunën Gorë, qarku Korçë, për shoqërinë “Strelca Energy” sh.p.k.

Kaskada zhvillohet në qarkun e Korçës, në pellgun ujëmbledhës të maleve Valamarë, Strelcë. Ndërtimi i kompleksit përbëhet nga tre hidrocentrale të vegjël, me fuqi të instaluar 8.3 megavat, prodhim vjetor rreth 25 milionë kilovatorëorë dhe investim 697 milionë lekë. Ajo pritet të japë impakt të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj zone.

10. Leje zhvillimore për ndërtimin e hidrocentralit Kolosian, në fshatin Kolosian, qarku Kukës.

Hidrocentrali i Kolosianit është një HEC i vogël me fuqi të instaluar 400 gigavat dhe me prodhim vjetor 2.5-3 milionë kilovat/orë.

11. Projekti elektrik në hidrocentralin Trebinjë, në pellgun e Trebishtit, qarku Dibër.

Hidrocentrali ka përfunduar dhe ka fuqi rreth 2 megavat. Ndërsa linja elektrike është 17 kilometra nga hidrocentrali Trebinjë në nënstacionin e Shupenzës. Investimi total për ndërtimin e hidrocentralit është 3.1 milionë euro, ndërsa për pjesët elektrike dhe rikonstruksionin e nënstacionit të Shupenzës rreth 700 mijë euro.

12. Leje zhvillimore komplekse për “Ndërtim & rikonstruksion i repartit RENEA në Yzberish, komuna Kashar, qarku Tiranë”

Projekti është iniciativë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet e komunës Kashar, për të krijuar kushte normale për funksionimin e Repartit të Forcave Speciale “RENEA”. Zona ku përfshihet trualli për ndërtimin e godinave të Repartit të Forcave Speciale “RENEA” ndodhet në Perëndim të qytetit të Tiranës në zonën e Kombinatit (Yzberisht) në pronën “ish-Reparti Ushtarak 8830”. Kjo zonë përfaqëson një territor të një reparti ushtarak me godina ekzistuese, po që janë të amortizuara dhe prandaj lind nevoja e ndërtimit të godinave të reja funksionale. Ndërtimi/rikonstruksioni i objekteve të Repartit Ushtarak në Yzberisht del si domosdoshmëri e plotësimit të nevojave dhe kërkesave në përputhje me kushtet bashkëkohore të Repartit Special RENEA. Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe Komisioni Europian, me vlerë 800 031 074 lekë.

13. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e vend depozitimit të mbetjeve të ngurta në Maliq, qark Korçë.

Ky projekt do t’i shërbejë 28 njësive vendore të qarkut Korçë, me popullsiu 320 mijë banorë. Ky projekt financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, me vlerë 11.8 milionë euro. Vend depozitimi i mbetjeve përbëhet nga 4 stacione transferimi (ST) dhe një vend depozitim sanitar qendror të mbetjeve. Vend depozitimi i mbetjeve është planifikuar për një periudhe prej 20 vjetësh dhe do të ndahet në 3 faza ndërtimi dhe depozitimi.

14. Instrumenti i përgjithshëm vendor komuna Ishëm, qarku Durrës.

Komuna Ishëm, me 8622 banorë dhe vijë bregdetare 22 kilometra, shtrihet në pjesën veriore të qarkut Durrës. Vlera e përgjithshme e Planit të Investimeve Kapitale është 50 milion euro. Në hartimin e tij është pasur mbajtur promovimi i zonës së Ishmit si një destinacion turistik të një cilësie të lartë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, të karakterit të peizazhit dhe pasurive natyrore të kësaj zone, duke orientuar zhvillimin e aktivitetit ekonomik të zonës me qëllim krijimin e kushteve për një turizëm modern që ofron shërbime cilësore, për vizitorë vendas e të huaj, si dhe zhvillimin multisektorial i Ishmit, ku kryeson zhvillimi i turizmit, i mirënjohur në bregdetin Adriatik si destinacion turistik në të gjitha sezonet. Plani i ri ruan traditën e ndërtimeve ekzistuese në zonën urbane, ndërsa në zonën turistike shfrytëzohen kreshtat dhe ndërtimet parashikohen 2-3 kate, me intensitet të vogël të shfrytëzimit të truallit të ndërtimit.

“Një nga komunat më të bukura, të cilën e vizitoi edhe Maksimiliani I dhe që udhëtimin e tij aventuror në Kepin e Rodonit dhe komunën e Ishmit përshkroi në një libër shumë interesant, i përkthyer edhe në shqip. Do të bëhej më vonë perandori i Meksikës, ku edhe do të vritej atje”, - u shpreh Kryeministri pas prezantimit të planit, duke nënvizuar se kjo është një nga zonat me potencial shumë të madh, një kompleks natyror jashtëzakonisht mahnitës.

15. Instrumenti i përgjithshëm vendor bashkia Shkodër, qarku Shkodër.

Bashkia Shkodër ka një popullsi 113 781 banorë. Plani i Përgjithshëm është financuar nga Banka Botërore. Vlera e përgjithshme e Planit të Investimeve Kapitale është 160 milionë euro. Politika e këtij Instrumenti të Përgjithshëm Vendor është mbrojtja e mjedisit, të parandalojë ose të lehtësojë fatkeqësitë, të sigurojë lehtësira publike dhe shërbime të përshtatshme qytetarët. Vizioni që sjell ky plan është Shkodra si qendër e rëndësishme e dijes, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, kulturor dhe mjedisit, një nyje e rëndësishme rajonale që zhvillohet në harmoni të plotë me kulturën, historinë dhe trashëgiminë. Drejtimet kryesore të këtij vizioni janë zhvillimi, mjedisi, kultura e turizmi, universiteti dhe zona industriale. Propozimet për zhvillimin urban fokusohet me portin turistik që lidhet me tre pika të rëndësishme, përgjatë lumit Buna, rrugën përgjatë Shirokës dhe zonën industriale. Zona e Shirokë-Zogaj trajtohet si një mundësi të madhe për zhvillimin e turizmit.

16. Instrumenti i përgjithshëm vendor komuna Synej, qarku Tiranë.

Komuna Synej, me 11 114 banorë, është një tjetër zonë me potencial turistik. Plani i përgjithshëm vendor ka propozuar ndërhyrje në hapësira urbane dhe rurale të zonës së studiuar, duke u fokusuar në elemente kryesore riorganizimin e territoreve të komunës nga pikëpamja funksionale, duke e vene theksin tek promovimi i zonave me funksion mikse; përmirësimin e parametrave të jetës urbane, duke përfshirë elementet e gjelbërimit publik, ambienteve rekreative, sportive dhe sociale; ka koordinuar zhvillimet e propozuara urbane dhe infrastrukturore.

17. Instrumenti i përgjithshëm vendor bashkia Gjirokastër, qarku Gjirokastër.

Bashkia Gjirokastër ka një popullsi 35 000 banorë. Plani i Përgjithshëm është financuar ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Vlera e përgjithshme e Planit të Investimeve Kapitale është 53 milionë dollarë. Në Planin e përgjithshëm vendor, Gjirokastra zhvillohet si një qytet i trashëgimisë botërore që shërben si porta jugore e Shqipërisë, e përkufizuar përgjatë lumit Drinos dhe e ndërlidhur mirë. Gjirokastra do të jetë një qytet i trashëgimisë botërore i dallueshëm dhe mikpritës, me një jetë rezidenciale dinamike. Gjirokastra do të përdorë vendndodhjen e saj strategjike në rrjetin kombëtar rrugor dhe afërsinë me kufirin me Greqinë, gjë që krijon mundësi parësore. Ndaj vizioni i këtij plani është zhvillimi i qëndrueshëm, një cilësi e mirë jete për banorët e saj, të theksohet Gjirokastra si qytet i trashëgimisë botërore, të krijohet një qytet uniform, i ndërlidhur fort, të forcohet Gjirokastra si portë e Shqipërisë.

18. Instrumenti i përgjithshëm vendor komuna Pezë, qarku Tiranë.

Komuna Pezë ka një popullsi prej 6026 banorë. Plani synon promovimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të reja ekonomike në komunën Peze, duke u përqendruar në përmirësimin e klimës së biznesit, të tregtisë dhe të prodhimeve bujqësore e blegtorale, promovimin e sipërmarrjes vendore, si dhe krijimin e një mjedisi tërheqës për investitorët vendas dhe të huaj, konsolidimi i qendrave urbane kryesore të komunës Pezë.

KOMENTE