Kryebashkiaku Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi Kryetarit të Bashkisë së Washington DC, Vincent Gray, me rastin e 4 korrikut, ditës së Pavarësisë së SHBA.
“I dashur Kryetar i Bashkisë së Washington DC, Vincent Gray!
Me një kënaqësi të veçantë, dua t’ju përcjell në emrin tim dhe të të gjithë qytetarëve të Tiranës, përshëndetjet më të përzemërta në këtë ditë të madhe të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij.
Qytetarët e Tiranës dhe mbarë kombi shqiptar u janë përjetë mirënjohës SHBA, për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë përgjatë gjithë historisë tonë, si kur diskutohej fati i ekzistencës tonë, ashtu edhe më pas, në instalimin e parimeve të lirisë dhe demokracisë që ju mbroni fort apo në procese të tjera të zhvillimit të vendit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike.
Deklarata e Pavarësisë, ku janë mishëruar parime të përjetshme i bëri SHBA një shembull frymëzues dhe një mbrojtës të fortë të lirive dhe të drejtave të njeriut në çdo vend të globit dhe këtë e provoi më shumë se njëherë edhe kombi im, prandaj dita e Pavarësisë së SHBA është një ditë feste edhe për ne dhe çdo qytetar të botës së lirë.
Shqiptarët me vendosmëri dhe me ndihmën tuaj janë orientuar drejt avancimit të vlerave të lirisë, të demokracisë dhe të zhvillimit, vlera që sot i ndajmë së bashku, si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe që në një të ardhme të afërt, do t’i ndajmë dhe me Bashkimin Evropian.
Ndaj, më lejoni që në këtë ditë të madhe për kombin tuaj, t’ju shpreh Ju personalisht dhe qytetarëve të Washington DC, urimet më të mira dhe t’ju siguroj për vendosmërinë dhe angazhimin tim, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Washington DC.”