Sot në Bruksel janë përmbyllur me sukses bisedimet e grupit punues për zgjedhjet, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Në agjendë të këtyre takimeve ishte definimi i rolit lehtësues të OSBE-së në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, ku me këtë rast u arritën konkluzionet për këtë çështje dhe ky rol lehtësues i BE-së do të përcaktohet përmes një marrëveshjeje teknike në mes të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ) dhe OSBE-së që pritet të nënshkruhet së shpejti.
Zgjedhjet lokale do të mbahen në tërë territorin e Kosovës dhe sipas ligjit për zgjedhjet, standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës. Ashtu siç e parasheh edhe marrëveshja, në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 3 nëntor 2013 për herë të parë pritet edhe pjesëmarrja e qytetarëve serb të katër komunave të pjesës veriore.
Pala kosovare ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike ku çdo qytetari pa dallim, do t’i mundësohet e drejta për të votuar dhe për t’u zgjedhur dhe se të gjitha komunitetet do të përfaqësohen proporcionalisht në mekanizmat përkatës të organizimit të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet edhe me legjislacionin në fuqi, do të ndërmerren të gjitha masat për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve në një atmosferë të tolerancës demokratike, paqes dhe respektit për sundimin e ligjit.
Gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve do të ndërmerren nga KQZ, siç është lista e votuesve, regjistrimi dhe certifikimi i partive politike, akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve, kodin e mirësjelljes së subjekteve politike, kandidatëve të tyre dhe mbështetësve, procedurat e votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve, etj.
Në bisedimet e mbajtura në Bruksel, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ishte e shoqëruar nga Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, Abedin Mehmeti, kryeshef i ARC-së.