Kryeministri Berisha priti dje në takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, zotin Ettore Sequi. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i ritheksuar ambasadorit Sequi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet projekti më madhor për shqiptaret në këtë shekull, e ardhmja më e mirë dhe e sigurt e tyre.
Ambasadori Sequi shprehu vlerësimin më të thellë për bashkëpunimin e ngushtë e të shkëlqyer që ai dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri kanë patur me Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe. Zoti Sequi vlerësoi progresin jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe shndërrimet e mëdha që Shqipëria ka përjetuar gjatë kësaj periudhe, si dhe vlerësoi kontributin e Kryeministrit edhe të qeverisë në këto arritje. Ambasadori Sequi theksoi se këto zhvillime edhe arritje, si dhe mbarëvajtja e procesit të zgjedhjeve të 23 qershorit, padyshim që kanë marrë vlerësimin e partnereve evropianë. Ai u shpreh se Bashkimi Evropian mbështet fuqishëm Shqipërinë dhe ecjen e saj përpara drejt hapave të mëtejshëm të anëtarësimit në BE.
Ambasadori Sequi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të mira të miqve të tij të shumtë në Bruksel.