English

9 kompanitë "gjahtare" të CEZ, për mbledhjen e borxheve të papaguara(VIDEO)

Top Channel zbulon dokumentet e plotë, që dëshmojnë se, vetëm për një periudhë kohore prej 6 muajsh, 9 kompani private kanë përfituar nga CEZ-i plot 12 milionë dollarë, nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara.

Dokumentet tregojnë se gjahtarët e borxheve kanë lulëzuar pikërisht 6 muajt e fundit të CEZ-it në Shqipëri, nga korriku deri në dhjetor të vitit të kaluar, kur grupit çek iu hoq licenca e shpërndarjes së energjisë.

Kontratat, të cilat ishin të vlefshme deri në mars të këtij viti, u anuluan menjëherë në janar nga administratori i ri, sapo CEZ u rikthye nën administrimin shtetëror.

Sipas dokumenteve, pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë një kompani me emrin “Debt International Management” me administrator Kastriot Ismailaj, e cila ka përfituar nga CEZ-i 649 milionë lekë, ose gati 6,5 milionë dollarë.

Madje, kur CEZ u rikthye nën administrimin shtetëror dhe anuloi kontratën, kjo kompani hapi padi, duke kërkuar dëmshpërblim për prishje të njëanshme.

Në vend të dytë, për nga shuma e përfituar, vijnë dy kompani të tjera, përkatësisht “CE 2 Services” dhe “CE 2 Debt Management”. “CE 2 Services” figuron në QKR me administrator Ervin Kajnon dhe përfaqësues ligjor Endrit Alikaj.

Ky i fundit ka qenë për një kohë të gjatë administrator i QTU-së dhe njihet si një nga njerëzit më të afërt me biznesmemenin Samir Mane. Të dy këto kompani kanë përfituar nga CEZ-i 3,2 milionë dollarë, në gjysmën e dytë të vitit 2012.

Më pas vijnë me radhë kompanitë e tjera, Mercel, EOS, Costal dhe Elite Consulting. Që në fillim të këtij biznesi, Top Channel publikoi vërshimin e kontratave me tarifa marramendëse, deri në 54 për qind, që CEZ po nënshkruante në seri me gjahtarët e borxhit.

Vetë dokumentet tregonin se nuk bëhej fjalë për një biznes të thjeshtë mes privatësh, por në fokusin e kontratave ka qenë edhe mbledhja e borxheve të institucioneve shtetërore, që administrohen me para publike, nga buxheti ose jo.

Që në atë kohë, përfaqësues të opozitës akuzuan publikisht se, kompanitë e krijuara për mbledhjen e borxheve zotërohen nga biznesmenë të afërt me qeverinë që, duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin, diktojnë marrëveshje mes CEZ-it dhe institucioneve publikepër përfitime korruptive, si rasti i transfertës së famshme për borxhet e ujësjellsave.
1826

KOMENTE