Vazhdon gjuetia greke për të burgosurit e arratisur. Në krye të grupit të të arratisurve që po ndjek policia dhe ushtria greke gjendet “arkitekti” i asaj arratisjeje të bujshme nga burgu i Trikallas, Marian Kola, ndërsa policia greke ende nuk e ka të qartë se sa persona vijojnë të jenë bashkë me të në këtë udhëtim për jetë a vdekje, shkruan e përditshmja shekulli online.
Kufiri shqiptaro-grek është blinduar nga ushtria, që sipas të dhënave që vijnë nga mediat greke, nga Kosturi deri në Qafë-Botë është nën sundimin e ushtrisë greke, për të mos i lënë shqiptarët të hyjnë në Jug. Ndërsa kufirin e anës sonë, policia e Shtetit e ka blinduar me forcat speciale. Në arratinë e arratisjes bashkë me Kolën gjenden edhe Admir Murataj, nga veriu, baba i tre fëmijëve, Ilir Kupa, nga Shqipëria e Mesme, Flaurant Luli, nga Juglindja, Fatos Sulaj dhe Klement Cala po nga Shqipëria e Mesme. Të gjashtë këta persona tashmë janë në shënjestrën e policisë dhe të ushtrisë greke, që përveç helikopterëve dhe forcave të shumta të policisë dhe të ushtrisë, vijojnë kontrollet me kamera termike. Shqiptarët e arratisur nga Trikallas me 20 mars të këtij viti dyshohet që mbrëmjen e dy netëvë më parë të kenë kaluar Prevezën. Kjo ka ngritur në alarm edhe kufirin tonë, që mbahet nën kontroll nga forcat RENEA. Efektivët specialë të policisë shqiptare kanë shkuar në jug të vendit dhe kanë marrë nën kontroll zonën nga Konispoli deri në Qafë-Botë, ndërsa në të njëjtën gjatësi kufitare vendoset ushtria dhe policia greke. Policia greke i deklaroi dje mediave se banorët e zonës së Thespotisë janë të trembur nga mbërritja e të burgosurve shqiptarë në atë zonë. Ky fakt saktëson se të arratisurit mund të jenë fare pranë kalimit në tokën e tyre, ndërkohë Policia e Shtetit vijon shkëmbimin e informacionit me homologët e Athinës për të arrestuar shqiptarët e kërkuar.
Bashkëpunimi
Pas mbërritjes në Shqipëri të trupave të dy viktimave të policisë greke dhe nisjes së ofensivës për kapjen e grupit tjetër, policia e vendit fqinjë mësohet se ka kërkuar shtimin e masave të rrepta nga policia shqiptare për të mos lejuar hyrjes e të arratisurve në Shqipëri. Referuar të dhënave që vijnë nga burime të Policisë mësohet se prej më shumë se 48 orësh në Kakavijë, Konispol dhe Qafë-Botë, gjithë vija kufitare mbahet nën kontrollin e RENEA-s, kurse krerët e lartë të policisë vijojnë të kenë shkëmbime informacionesh me homologët grekë. Të shtunën, duke u gdhirë e diela, kamerat termike të policisë perceptuan dy persona që po ecnin me këmbë përgjatë lumit Kalamos, midis Janinës dhe Igumenicës. Por, shumë shpejt kamerat i humbën ata. Policia vlerëson se bëhet fjalë për Marian Kolën që mbahet si kreu i gjithë grupit, si dhe mikun e tij, Ilir Kupin.
Media greke
Sipas “To Ethnos”, shqiptarët e arratisur kanë arritur të fshihen në zonën e Sulit në Çamëri, (shteti grek e quan Thesproti këtë toponim) shumë afër kufirit me Shqipërinë, Kakavijën dhe Qafbotën. Citohet se policia greke ka gjetur një motor të braktisur në Nafpakto, me të cilin kanë udhëtuar deri në këtë vend. Tashmë shqiptarët e arratisur po udhëtojnë me këmbë nëpër male dhe pyje me qëllim që t`i shpëtojnë syrit të policisë dhe njerëzve. Po sipas policisë greke, banorët e qarkut të Çamërisë janë të trembur pasi kanë mësuar lajmin se të arratisurit gjenden në zonën e tyre. Disa media në Greqi bëjnë me dije se të arratisurit mund të kenë kaluar kufirin dhe të ndodhen në Jug të vendit tonë.
Sipas të dhënave nga policia greke, shqiptarët kishin planifikuar të ndihmonin edhe në arratisjen e Alket Rizait nga burgu i Dhomokos, duke kryer një sulm të armatosur dhe duke shpërthyer murin e jashtëm rrethues, për ta ndihmuar atë të linte burgun. Në këtë përfundim është arritur, pas analizës së një bisede mes Rizait dhe njerëzve që ndihmuan në arratisjen e Trikalas në mars të këtij viti. Policia e lidh këtë me përplasjen e armatosur që ndodhi në të gdhirë mes të arratisurve dhe oficerëve të policisë në zonën e Artës, ku shqiptarët hapën zjarr, ngjarje që sipas policisë, e pengoi planin e tyre dhe i detyroi të vazhdojnë rrugën në zonën drejt kufirit.
Sipas të dhënave të djeshme, shqiptarët ndodhen në zonën e lumit Aheronda dhe Kalama dhe policia mendon se ata kanë 2 rrugë për t’u larguar, nëpërmjet lumit të rrëmbyer ose nga toka. Janë marrë masa që të kontrollohet terreni nga toka, nga ajri, madje edhe nga deti. Policia ka vënë në gatishmëri edhe forcat policore të zonës pranë Janinës e Igumenicës. Në të njëjtën kohë, në zonën detare afër Prevezës ka anije patrullimi të Igumenicës për të parandaluar arratisjen e mundshme të shqiptarëve nga deti.
Alket Rizai, panik në burgun e Artës
Policia greke: Të arratisurit e Trikallas deshën të shkatërronin murin e burgut e ta lironin. Rizai; Nuk i njoh të arratisurit, vrasja e shqiptarëve e padrejtë
“Dhomokos”, duket se është stacioni i ri ku pritet të tronditet sërish drejtësia greke. Në atë vend të vuajtjes së dënimit gjendet emri më i përfolur shqiptar, Alket Rizai, ndërsa dyshimet e mëdha kanë nisur të lindin dy ditë më parë kur policia ka shquar të arratisurit shqiptar në zonën e Artës, vend në të cilin gjendet edhe burgu. Policia ka bërë me dije për mediet vendase se dyshohet se është tentuar të hidhen në erë muret rrethuese të burgut ku ka qenë përgatitur edhe arratisja e Rizait, ndërsa mëngjesin e së dielës në këtë burg është regjistruar edhe një përleshje me thika mes shqiptarëve dhe pakistanezëve. Paçka se Alket Rizai ka mohuar publikisht të ketë lidhje me të arratisurit e Trikallas, zyrtarët grekë të hetimit kanë saktësuar se janë përgjuar bisedat e Rizait që ka kryer me njërin prej personave që gjendet tashmë në arrati. Gjithashtu gjatë paradites së djeshme kanë qenë autoritetet e burgut që kanë kërkuar transferimin e të riut nga Ballshi, për në një burg tjetër të sigurisë së lartë, pasi personeli i ruajtjes së godinës natën është i reduktuar. Ministria e Drejtësisë mësohet se ka marrë masa drastike për të mbrojtur qelitë e këtij burgu, Rizai ka lëshuar akuza dhe ironi ndaj këtij sistemi dhe policisë greke.
Akuzat e Rizait
Në një lidhje telefonike me gazetaren e “News 24”, personi që theu dy herë sigurinë e burgut më të madh të Greqisë si dhe tronditi me sipërmarrjen për tu arratisur me mbajtjen peng të gardianëve të burgut, ka treguar se ai nuk ka asnjë njohje me personat që janë arratisur nga burgu i Trikallas në marsin e këtij viti. Sipas tij, ai nuk ka komunikuar për asnjë plan të arratisjes me shqiptarët që kanë vënë në lëvizje gjithë policinë greke, ndërsa ka bërë me dije se këtë fakt policia e ka shpikur vetë. Edhe pse Rizai prej shumë kohësh ka paraqitur kërkesa të njëpasnjëshme të kurohet në spitalin e një burgu tjetër, duke rritur kështu dyshimet për ndonjë plan të vërtet arratisjeje. I dënuari me burgim të përjetshëm për akuza që ai pretendon se nuk iu vërtetuan kurrë, ka bërë me dije se: “S’kam patur asnjë bisedë telefonike me të burgosurit e Trikallas. I njihja në burg, po nuk kam patur asnjë kontakt me ta. Lidhja që bën policia me 4 të arratisurit është absurde. Policia greke sheh ëndrra me sy hapur”. Ndërsa në lidhje me kërkesën e zyrtarëve të burgut të “Dhomokos”, për transferimin e tij në një burg tjetër, Rizai saktësoi se “Nuk jam njoftuar për transferimin, por nuk më intereson. Burg këtu, burg atje”. Madje Rizai ishte i dënuari i parë në burgjet greke që kundërshtoi me forcë transferimin e tij në drejtim të burgjeve shqiptare, duke vënë theksin në pasigurinë që ai kishte për jetën, sidomos gjatë kohës së transferimit për në vendin tonë. Në prononcimin e tij të ditës së djeshme Alket Rizai, teksa ka mohuar të kishte lidhje me bashkëpatriotët e tij të cilët kanë marrë rrugën në drejtim të Shqipërisë, e ka vënë theksin mbi vrasjen e dy shqiptarëve më 2 korrik. Mbase për këtë ngjarje të rëndë, ku humbën jetën Flamur dhe Edison Lika, Alket Rizai ishte shqiptari i vetëm që dënoi publikisht vrasjen e shqiptarëve si akt i padrejtë.