English

Lituania: Shpresë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë

Duket se një erë e e re dhe shpresëdhënëse po ndihet edhe për Shqipërinë.

Presidenca e re lituaneze e BE-së dhe Parlamenti mbështesin përshpejtimin e dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Eurodeputetë dhe përfaqësues të grupeve kryesore politike i kërkuan sot në Komisionin e Jashtëm, ministrit të Jashtëm të Lituanisë, vendi që mban presidencën e radhës deri në fund të vitit, që të punohet për finalizimin e statusit, për të cilin ka tashmë një rekomandim nga Komisioni Evropian. Nga ana e tij, shefi i Presidencës lituaneze, Antanas Linkevicius, shprehu vlerësimet e tij për procesin zgjedhor dhe kërkoi vijimin ë një tranzicioni të qetë dhe ruajtjen e dialogut politik ne vend.

"Shqipëria kaloi një test të rëndësishëm dhe ne e inkurajojmë atë për një tranzicion të qetë. Për sa i përket dhënies së statusit të kandidatit, ne kërkojmë që partitë politike ta vlerësojnë këtë mundësi, procesi nuk është i lehtë, ato duhet ta mbajnë të hapur dialogun midis tyre për këtë proces"- tha Linkevicius.

Eduard Kukan, që kryeson Delegacionin e PE për Evropën Juglindore, u shpreh në emër të Partive Popullore se progresi i shënuar në procesin zgjedhor bën që të shpresohet për një marrje të shpejtë e statusit.

"Zgjedhjet në Shqipëri bënë që kalimi i pushtetit të fillojë së shpejti. Drejtuesit politikë, deri tani, kanë bërë deklarata pozitive, gjë që hap një pritshmëri realiste për të marrë statusin e kandidatit së shpejti"- tha Kukan.

Edhe numri dy i Socialistëve dhe Demokratëve, Libor Ruçek, vlerësoi zhvillimet e fundit politike dhe tha se nuk është më skeptik për Shqipërinë. Ai u shpreh se një dhenie e shpejtë e statusit të vendit kandidat eviton "një ndarje mes popujve sllave dhe josllave" të rajonit të Ballkanit.

"Unë nuk jam skeptik për Shqipërinë. Ne kemi qenë atje për vëzhgimin e zgjedhjeve me zotin Kukan. Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm, zgjedhjet ishin të mira. Të dyja grupet më të mëdhaja politike kanë bashkëpunuar. Le të shikojmë tani kalimin e pushtetit. Unë mendoj se ne duhet t'i japim një shtysë marrjes së statusit. Ne nuk duhet të krijojmë ndarje midis popujve sllavë dhe jo sllavë të Ballkanit Perëndimor"- tha Rouçek.

KOMENTE