Kryetari i mazhorances së re, z.Edi Rama ka hapur prej ditësh në një akt flagrant anti-shtetëror, tenderin për fshesën ndaj administratës.
Madje ai pretendon se Data Base i PS që do të përdoret për këtë qëllim, do ti ofrohet edhe sektorit privat. Pra fshesa e partisë, tenderi i saj për punësim, do të përfshijë edhe punonjësit e sipërmarrjeve private.
Kjo është forma më staliniste e kontrollit të tregut të punës, është kazma në themelet e lirisë së këtij tregu.
Për të justifikuar veprimin e tij, vendosjen me shpejtësi të sistemit gjobëvënës socialist, Z Rama deklaron se punëkërkuesit e përzgjedhur nëpërmjet Partisë Socialiste do ti ofrohen konkurseve te hapura që organizon administrata për vende pune sepse sipas tij më parë këto konkurse nuk kanë qenë të hapura dhe tani ai do ti bëjë më të hapura duke rekomanduar nga selia e PS pjesëmarrësit e këtyre konkurseve.
Unë sot jam këtu për të denoncuar këtë praktike, si një veprimtari të mirëfilltë anti - shtetërore dhe shkatërrimtare për administratën publike dhe tregun e punës në tërësi.
Plotësimi i vendeve të administratës është bërë gjithnjë vetëm pas publikimit të vendit të lirë në mediat shqiptare, përfshirë në të gjitha rastet edhe në mediat e kontrolluara nga z.Rama. Në plotësimin e vendeve në administratë padyshim ka patur dobësi dhe bërryla por nuk ka patur kurrë listë partie të dërguar në konkurset e organizuara. Me këtë rast, informoj shqiptarët se administrata shqiptare në vitin 2005 kishte vetëm 1% te punonjësve të saj të diplomuar në vendet perëndimore, ndërsa sot ka mbi 21 % të tyre të shkolluar në universitetet me të mira të këtyre vendeve. Të gjithë këta nuk kane ardhur në administratë nga listat e partisë, por kanë ardhur nga konkurset e hapura nga Departamenti i Administratës Publike për plotësimin e vendeve të lira të punës.
Unike dhe tejet e rrezikshme për tregun e punës është ideja se listat me aplikantët e partisë do përdoren jo vetëm për fshesë ne administratën publike, por për fshese partiake edhe për të punësuarit ne sektorin privat. Zoti Rama pretendon se me aplikantet e partisë, të rekomanduarit e saj, do tw furnizojë sektorin privat për të plotësuar vendet e punës.
Pra, ai dëshmon se do bëjë çdo gjë për të kontrolluar nga selia mavi tregun e punës.
Ne informojmë shqiptarët se pak muaj më parë me fonde dhe ndihmë teknike të qeverisë suedeze është ngritur dhe funksionon pranë Ministrisë së Punës dhe në të gjitha qarqet e vendit portali i e-punësimit, në të cilin çdo i papunë, kudo që banon, aplikon on line me CV-ne e tij dhe pretendimin për vendin e pritshëm të punës. Po ashtu, çdo punëdhënës shpall on line ne këte portal vendet vakante në sipërmarrjen e tij, si dhe kërkesat që duhet të plotësojë punëkërkuesi për tu punësuar në atë sipërmarrje.
Pra, me sistemin e tij te ri Z.Rama po hedh hapa të paimagjinueshëm per një vend të lirë, hapat e instalimit te regjimit te partise shtet dhe kontrollit partiak rrënues të punësimit në administratën publike dhe sektorin privat.