Afrim Krasniqi - Kështu nisi shteti, me burra të mençur, të provuar, të respektuar dhe përfaqësues. E krijuan shtetin kur nuk ishte, krijuan institucionet nga themeli, krijuan kushtetutë e ligje, ministri e drejtori, shkollë e spitale, institucione fetare shqiptare e organizata civile apo kulturore. Edhe ata ishin ndarë në dy parti, edhe ata votoheshin, edhe ata donin pushtet, edhe ata mund të merreshin me tenderë, por zgjodhën të ishin të ndryshëm, provuan të bëjnë shtet, ndonjëherë gabuan por në tërësinë e tyre nuk ka dilemë se ata arritën të bëjnë më të mirën e tyre për qytetarët, shoqërinë dhe vendin. Ndaj sot i respektojnë, i nderojmë, i citojmë dhe sa herë shohim dështimet e sotme, - i kujtojmë me një ndjenjë romantike!
Sa kontrast i thellë me parlamentin e shekullit të ri shtetëror: parlamenti i ri do të ketë pak juristë, më pak se gishtat e dorës, pak ekonomistë, pak ekspertë të marrëdhënie ndërkombëtare, pothuajse asnjë konstitucionalit apo historian, asnjë filozof apo intelektual me krijimtari të njohur e vlerësuar publike, dhe natyrisht asnjë të diplomuar në shkencat politike....por do të ketë 6 biznesmenë të lojërave të fatit, 11 biznesmenë në fushën e ndërtimit, 5 biznesmenë në biznesin e minierave, disa të tjerë që merren me aluminin apo naftën, me dritaret apo portat e hekurit, pije freskuese apo produktet e shportës, me miellin apo hotelerinë. Nuk do kemi asnjë akademik, por do te kemi në parlament të paktën katër ish bodigardë, të paktën tre deputetë deri para pak kohësh në kërkim nga policia dhe natyrisht, të paktën dhjetë deputetë me diplomë të blerë në dy krahët e autostradës për në Rinas!
Ata nuk kanë faj! Ata provuan, ata guxuan dhe ne i pranuam, u ngritëm mbi supe, i mbështetëm dhe i votuam. I gëzofshim! Janë produkti jonë, i shoqërisë tonë, i kulturës tonë politike, i sistemit tonë politik e përfaqësues, i sistemit tonë të vlerave dhe meritokracisë!
Një sinjal dëshpërues për brezat e rinj, për sistemin tonë universitar, për pritshmëritë e mëdha integruese, për shpresat utopike të fitojmë kohën e humbur, dhe mbi të gjitha, - se sa kemi mësuar nga e kaluara 100 vjeçare dhe se si duam ta projektojmë të ardhmen e shtetit tonë në 100 vitet e ardhshme!