Plot 1 milion euro i ka kushtuar policisë greke operacioni për kapjen e shqiptarëve të arratisur nga Burgu i Trikalasë dhe që ka rezultuar i dështuar, raporton gazeta greke “Protothema”.
“Që nga 22 marsi kur u arratisën shqiptarët nga burgjet e Trikala, në ndjekje të tyre janë angazhuar dy helikopterë, gjashtë anije, dhjetëra trupa të forcave speciale, dy toga zhytësish, gjurmues të ushtrisë dhe qindra oficerë të policise. Kosto e gjithë këtij angazhimi kap vlerën e rreth 1 milion eurove”-shkruan”Protothema”.
Më tej kjo gazetë shkruan se pavarsisht këtij shpenzimi në një kohë krize ekonomike, shqiptarët e arratisur kanë përshkruar gjysmën e Greqisë dhe ndodhen një frymë para arratisjes së madhe, janë gati të kalojnë si zotërinj kufirin për në Shqipëri.
“Nëse përfundimisht shqiptarët nuk arrestohen, kjo do të vërtetojë dështimin total të operacionit të policisë helene, e cila në një kohë krize përdori të gjitha mjetet dhe pajisjet pa menduar rezultatet dhe pasojat”- vijon më tej reportazhi i gazetes”Protothema”.
Artikulli në fjalë jep shifrat e sakta të pagesave për të gjitha kategoritë e policëve, komandove, polumbarëve e gjurmuesve, por edhe shpenzimet për pilotët, skafistët dhe punonjësit e tjerë, dhe e quan operacionin: “Fiaskoja e artë”!…
“Edhe nëse Mario Kola dhe bashkëpunëtorët e tij janë trajnuar mirë e për këtë arsye është e vështirë të kapen, asgjë nuk justifikon faktin që gjysma e policisë në vend ti ndjeke pa asnje rezultat”- thekson gazeta, që nënvizon gjithashtu se shifra në fjalë pritet të rritet për shkak se aksioni vazhdon.
Gjithnjë sipas mediave bazuar në burime të policisë Mario Kola e Ilir Kupa dyshohet se kanë kaluar kufirin për në Shqipëri.