PD ka hapësira ku mund të kritikohet lidhur me administratën shtetërore, por batërdia që pritet të ndodhë nga qeverisja e re socialiste është e rrezikshme. Kështu deklaroi Zv.Ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku, në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj. Çollaku shtoi më tej se ka informacione të besueshme brenda selisë rozë se po ndërtohen listat e spastrimit për cdo dikaster, për tu zëvedësuar me militantë socialistë, hap ky që sipas tij do të shënonte një ngjarje të rëndë për vendin.
“Është një tentativë reale e zotit Ram nuk është thjeshtë një provokom për të parë reagimin e PD, ka qenë një deklaratë e pakujdeshme por dielli nuk mbulohet me shoshë. Ka informacione brenda PS se për cdo dikaster po ndërtohen listat e spastrimit të administratës, për tu zëvendësuar me militantë të saj dhe kjo padyshim që do të ishte një ngjarje e rëndë. Edhe gjatë fushatës është folur gati për një polici socialiste, drejtësi socialiste, dogana socilaiste. Të gjitha këto s’mund të bëhen një ditë të caktuar zero dhe tu hapet dera militantëve të PS” tha ai.
Duke komentuar deklaratat e forta të kryesocialistit Rama në drejtim të Prokurorit, Presidentit dhe kreut të SHISH, Çollaku thotë se nuk mund të flitet deri në një tentativë për shkarkimin e tyre, pasi kjo do të kishte një kosto të madhe politike mbi kreun e PS.
“Mund të jetë e butë apo i forte sjellja e Ramës përkundrejt këtyre institucioneve, aq sa ja lejon Kushtetuta dhe votat në parlament. Cdo gjë që do ta bëjë në kundërshtim me këtë do jetë me kosto politike për të. Nuk do tolerohet, do ketë reagime brenda dhe jashtë, tentativa për shkarkimin e tyre është e pamundur dhe s’ka për të ndodhur. Sa i përket kritikave do ti bashkangjitem dhe unë për Prokurorin, duhet të fillojë hetimet për blerje të votave, materiale ka me shumicë, po qarkullojnë cdo ditë në rrjete sociale” tha më tej Zv.Ministri i Punëve të Jashtme.
Çollaku pranoi se në kampin blu ka ekzistuar frika për një rënie të PD pas disfatës në zgjedhjet e 23 qershorit, por vendimi i liderit të saj Berisha, theksoi ai, shërbeu si një element pozitiv dhe motivues për të shtyrë përpara këtë parti.
“Unë do doja që vendimi i Berishës për të lënë drejtimin e PD të ishte moment emocional, por duke besuar ato që thotë zoti Berisha ka qenë një veprim i menduar mire prej tij dhe i deklaruar prej vitesh. Ka krijuar një ngjarje historike me këtë akt. Edhe duke u tërhequr ai arriti të mund sërish kundërshtarët e tij. Për fatin e mirë ai është anëtar i PD, është element pozitiv për ecurinë e mëtejshme të kësaj partie. Edhe unë një nga njerëzit aktiv në PD e kishim këtë frikën se cfarë do ndodhë prapa. Por me dorëheqjen Berisha shërbeu si një katalizator, ka fluks të madh anëtarësismesh të reja për një sërë faktorësh.Sot flitet për një PD të dekadave të reja. Sot Basha dhe Olldashi po garojnë para 100 000 anëtarëve të PD, do jetë një pedan i rëndësishëshëm që PD të rikthehet më e fuqishme nesër” u shpreh Çollaku.
Duke mbetur tek dy kandidatët në garë për kreun e PD, Zv.Ministri Çollaku thotë se cilido të dalë fituesi pas 22 korrikut, platformat dhe profilet që ata përfaqsojnë premtojnë për një opozitë të fortë, e cila shumë shpejt do të rikthehet si mazhorancë fituese. Duke premtuar opozitën më të fortë që ka njohur pluralizmi shqiptar, Çollaku thekson se nuk do jetë një opozitë si ajo e Ramës, “sipër kokës për çdo cështje, por konstruktive dhe dashamirëse me fatet e vendit”.
“Cilido të fitojë, të përbushë atë dimension të Berishës do ishte e vështirë për këdo. Kandidatët përfaqësojnë dy profile të ndryshme në PD, janë dy produkte dinjitoze dhe cilësore. Secila nga PD që ata përfaqësojnë do të ishte shumë e fortë në realizimin e opozitës dhe marrjen e pushtetit. Të dyja këto pas zgjedhjeve për kryetarin do të kthehen në një PD të vetme, të cilat do garantojnë jo vetëm një opozitë eficente sic nuk e ka parë pluralizmi shqiptar, por me këto kapacitetet është e sigurtë që kjo mazhorancë nuk do të shkojë përtej mandatit të parë. Ne do tu tregojmë shqiptarëve se vota e tyre në 23 qershor ishte një gabim. Rama ka lënë një manual fantastik sesi mund të bëhet një opozitë radikale, por nuk i doli krejt për keq. PD nuk do të bëjë një opozitë simetrike me Ramën, ne do bëjmë një opozitë energjike, sipër kokës për çdo çështje, por konstruktive dhe dashamirëse me fatet e vendit”nënvizoi ai.
I pyetur rreth idesë së kreut të LZHK, Dashamir Shehi, për unifikim të së djathtës ai u përgjigj:
“Nuk është ide e keqe, pyetja është sesi? PD është parti me dyer të hapura, zoti Shehi është konsideruar gjithmonë si pjesë e PD. Të gjithë ata njerëz që janë larguar nga PD për pakënaqësira të ndryshme është koha për tu rikthyer. Dyer të hapura për të gjithë, nuk ka nevojë për promovim brenda PD janë figura të njohura dhe kthehen tek një parti e cila ju ka dhënë respektin dhe mandatet. Do isha për një bashkim të sinqertë, pa u ndalur në klauzola të vogla për të siguruar një pozicion të tyre diku”.
Në përfundim të intervistës Zëvendësministri i Jashtëm dha një koment edhe rreth premtimit të PD “të ngrirë” tashmë për liberalizim të vizave me SHBA.
“Nuk duhet të jetë një ëndërr e humbur. Edhe sot që s’jemi në fushatë them se është një proçes i mundshëm dhe i realizuaeshëm, do angazhim serioz dhe një lobim të fortë. Pika e dobët e kësaj mazhorance është se lobi i zotit Rama është e pakrahasueshme me ndikimin që kishte Berisha atje. Zoti Berisha ishte një nga liderët e respektuar në Kongresin amerikan”.