Ilirjan Cani, ndodhet ende në rrezik për jetën edhe pse mjekët shprehen se gjendja e tij vazhdon të qëndrojë në parametrat jetësor.
40-vjeçari, u vetëqëllua me armën automatike, pasi kishte vrarë më parë bashkëshorten Alketa, 35 vjeçe.
Ngjarja ndodhi në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë, pasditen e të hënës, pas një grindjeje për shkak të teprimit me pijen nga 40-vjeçari në kushtet e problemeve ekonomike për shkak të një kredie që kishte marrë Alketa për rregullimin e shtëpisë.
Dy fëmijët, 13 dhe 6 vjeç, janë marrë në kujdestarinë e prindërve të Ilirjanit, ndërsa varrimi I 35-vjeçares është kryer në banesën e prindërve të saj në rrugën Myslym Keta në Tiranë.
Ngjarja
-Të tronditur dhe të prekur nga vrasja e vajzës së tyre, prindërit e të ndjerës Alketa Cani, e përshkruajnë dhëndrin e tyre si një person agresiv dhe konsumues alkooli. Ata rrëfejnë se tre ditë para ngjarjes makabër, vajza e tyre 35 vjeçe është dhunuar nga bashkëshorti. Ata pohojnë se Alketa Cani nuk i tregonte problemet e saj, për të parandaluar krijimin e konflikteve mes dy familjeve. Mamaja e së ndjerës thotë se prej disa kohësh nuk kishte më komunikim me dhëndrin e saj, Ilirjan Canin. Ndërsa shton se ditën e ngjarjes ai e ka telefonuar pa arsye në orën 13:00 të drekës. “U habita që më telefonoi. Unë isha me nipat në plazh dhe fillimisht e pyeta se mos kishte ardhur në Durrës. Ndërsa ai më tha: Flasim më vonë. Për ngjarjen më mori nusja në celular dhe më tha se Alketa ishte pak sëmurë. E parandjeva që diçka do kishte ndodhur, pasi e dija që ai ishte pijanec dhe e dhunonte vajzën. E vetmja pyetje që i kam bërë nuses ishte, nëse vajza ime merrte ende frymë. Por, ajo kishte humbur jetën në vend, pasi ai e ka goditur me 8 plumba. Pa pasur asnjë motiv, asnjë problem nga vajza ime, e cila mbante familjen me bukë. Kur erdhëm nga plazhi mora vesh se vajza më kishte vdekur dhe dy djemtë e mi u morën në pyetje në polici. Alketa kishte frikë nga ai dhe nuk donte që të fliste me të, pasi ruante vëllezërit e saj”, tregon Fluturie Agalliu. Për familjen Agalliu është e rëndësishme që të përcillet e vërteta e këtij krimi makabër, ku mbeti e vrarë me 8 plumba 35-vjeçarja Alketa Cani. Prej pak kohësh 35-vjeçarja ia kishte dalë të diplomohej në Fakultetin Ekonomik, megjithë problemet që kishte me bashkëshortin pijanec. E ndjera kishte nisur punë në një butik veshjesh në afërsi të Saukut, duke ndihmuar familjen e saj për të shlyer kredinë e marrë nga bashkëshorti dhe për t’i plotësuar nevojat dy fëmijëve, përkatësisht 14 dhe 3 vjeç. Alketa përshkruhet nga të gjithë si një person shumë i qetë dhe e dashur. Ndërsa ka tentuar të mbajë të fshehtë dhunën e ushtruar nga bashkëshorti për hir të fëmijëve dhe për të mos krijuar debate dhe konflikte mes dy familjeve. Por debati i së hënës do të ishte i fundit për Alketën, e cila u qëllua me armë zjarri nga bashkëshorti. Ilirjan Cani ka shfrytëzuar faktin që çifti ishte vetëm në banesë dhe në gjendje të dehur ka vrarë gruan e tij.
Prindërit tregojnë për të bijën
Është përcjellë për në banesën e fundit 35-vjeçarja Alketa Cani. Familjarë, të afërm dhe miq kanë qenë të pranishëm në ambientet e banesës për t’i qëndruar sado pak afër prindërve të së ndjerës, duke i ngushëlluar për këtë ngjarje të rëndë. Prindërit e të ndjerës, të përlotur dhe me peshën për të rritur tashmë dy nipat e tyre, tregojnë se Alketa ishte viktimë e dhunës së bashkëshortit. “Para tre ditësh vajza imë është dhunuar nga burri i saj. Ai pinte dhe bëhej agresiv duke e goditur. E kishte rrahur dhe vajza ime kishte buzën e çarë. Alketa nuk donte që të fliste dhe të tregonte problemet, pasi kishte merakun e vëllezërve. Para disa viteve Iliri e dhunoi shumë rëndë vajzën tonë, me shenja nxirjeje në fytyrë. Vëllai i madh i Alketës tentoi të ndërhynte dhe ai i theu nofullën djalit tonë. Alketa kishte merak për vëllezërit dhe nuk donte t’i përfshinte. Edhe mua, që isha nëna e saj, shumë pak më tregonte. Vajza nuk bënte denoncim për dhunë se kishte frikë nga ai, se mos e vriste”, tregon Fluturie Agalliu. Ndërsa më tej rrëfen se një ditë dhëndri i saj kishte dalë në ballkon duke shtënë në ajër, në një moment kur dy djemtë ishin në oborr. “Me tregoi vajza se një ditë duke ardhur nga puna kishte dëgjuar të shtëna. Ishte trembur për jetën e fëmijëve, se ishin poshtë në oborr. Ai mbante armë pa leje dhe ishte person agresiv. Madje mund të them se ka qenë një herë në burg për drogë. Është ngjarje e vjetër, e ndodhur në vitin 1999. Nuk i kemi pranuar familjarët e Ilirjan Canit që të na vijnë në varrim”, mbyllet rrëfimi i mamasë së viktimës. Ndërsa babai i së ndjerës tregon se vajza nuk dëshironte të komunikonte me ta për problemet personale. “Ajo nuk më thoshte, jo se mendonte se nuk e kuptoja, por me idenë që situata do zgjidhej”, tregon Rustem Agalliu. Halla e së ndjerës pohon se mbesa dhunohej dhe se asnjë nga familjarët e Ilirjan Canit nuk ka ardhur në banesë për ngushëllim. Dy djemtë e çiftit Cana ndodhen në banesën e prindërve të Alketa Canit.
Heshtje në familjen e autorit të krimit
Alti Cana: Iliri më kërkoi që të shkoja se ishte sëmurë
Ka pllakosur heshtja në banesën e çiftit Cani. Familjarët e Ilirjan Canit e konsiderojnë si fatkeqësi këtë ngjarje, ndërsa mohojnë që mes çiftit të ketë pasur konflikte ose probleme. Nën zë njëri prej të afërmve të Ilirjan Canit pohon se ai ishte përdorues alkooli dhe ishte në borxh për shkak të kredisë. “Të lutem na lini të qetë. Kjo ngjarje është një fatkeqësi për ne dhe nuk kemi se çfarë të themi. Nuk e kuptojmë sesi ndodhi dhe çifti kishte raport shumë të mirë. Çdo pasdite dilnin bashkë të dy dhe i kishin zili të gjithë në lagje. Është e vërtetë që Ilirjani e kishte qejf alkoolin”, shprehet një nga të afërmit. Ndërsa janë të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Ilirjan Canit, i cili ka marrë një plumb poshtë zemrës. Autori i krimit i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal dhe gjendja e tij shëndetësore është stabël. Familjarët janë të shqetësuar për këtë ngjarje dhe shpresojnë që i afërmi i tyre të shpëtojë, për të rritur edhe dy djemtë që mbetën jetim, pas vrasjes së nënës së tyre. Rrëfimi Në oborrin e shtëpisë ndodhet edhe Alti Cani, personi i cili gjeti çiftin në banesë. Ai rrëfen se ditën e ngjarjes e ka telefonuar autori i krimit, i cili i ka kërkuar ndihmë. “Më mori në telefon dhe më tha që të vija me urgjencë në banesë, pasi nuk ndihej mirë. Më tha që ishte i sëmurë. Kur unë vajta gjeta trupin e pajetë të Alketës, që po përpëlitej. Ndërsa Iliri ishte i plagosur dhe po i dilte gjak. Njoftova me urgjencë policinë dhe ambulanca mori trupin e Ketës. U pyeta nga policia për këtë ngjarje. Nuk kam gjë tjetër për të thënë”, përfundon rrëfimi i Alti Canit, djalit i xhaxhait i Ilirjan Canit. Familjarët e Ilirjanit nuk duan që të shprehen në lidhje me Alketën dhe vdekjen e saj. Ata e përshkruajnë këtë ngjarje si një fatkeqësi, që duhet ta përballojnë. Ndërkohë që i vetmi shqetësim për ta është përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Ilirjan Canit. “Duam vetëm që ai të shpëtojë. Kaq ka rëndësi për ne. Për krimin nuk dimë çfarë të themi, pasi e kemi të rëndë situatën. Të lutem shumë na lini në hallet tona dhe mos na bezdisni më”, janë fjalët e fundit të të afërmve të familjes Cani.