English

Në këtë botë ke ardhur vetëm. Nga kjo botë do të largohesh i vetëm

Shumë janë ata të cilët thonë:
"Do të jam me ty në të gjitha". Dhe shumë pak janë ata që me të vërtetë e bëjnë këtë.
Fjalë sa të duash. Premtime koti. Derisa u duhesh, si vampirë ta thithin energjinë! Ndërsa kur të shohin se edhe ti gjakon! Se edhe ti je vetëm njeri. Pa mëshirë të hidhen, thuajse nguten se kush do të jete ai që do të te jape goditjen përfundimtare.
Ah....! Sa i egër mund të jetë një njeri? Aq sa ta bie në dyshim a thua vallë me të vërtetë është njeri? Apo vetëm shtiret si i tillë?

Miku im,
Ti që po me lexon.
Ti që ndoshta, bashkë me mua, sonte e ndien egërsinë e kësaj bote.
Mos u kthe! As mos lejo që indiferenca e botës, indiferenca edhe e atyre që ti i do, të jetë vendimtare në vullnetin tënd për jetë.
Sepse ti tashmë e di! Në fund askush nuk është për ty, ashtu si ti je në gjendje të jesh për të tjerët.
Tani, a duhet të dëshpërohesh? Të thyhesh në psherëtima? A duhet të presësh që dikujt t'i biere ndërmend për ty?

Jo miku im!
Në këtë botë ke ardhur vetëm. Nga kjo botë do të largohesh i vetëm. Nëse atyre që i ke dashur, u ke falur më të bukurën, mos u pendo! Dashuria jote do të jehojë në përjetësi. Dhe vlera jote do të shumëfishohet, atëherë kur këta të ballafaqohen me produktin e indiferencës së tyre.

Miku im,
Nëse nuk na bashkon asgjë, së paku na bashkon dëshira për jetë, vullneti për një botë më të mirë. Dhe krenaria jonë për ndjenjat që vetëm ne mund t'i dhurojmë.
Kështu që le të flasin çka të duan. Le të përgojojnë. Le të shajnë. Sepse ata nuk kanë punë tjetër. Jeta e tyre vetëm ashtu fiton kuptim.
Të jesh më se i bindur se vdekja jonë ka më shumë jetë se të jetuarit e tyre.....

KOMENTE