English

Devolli dhe çduhet të dini për të

Krahina e Devollit, si njësi administrative, shtrihet përgjatë brigjeve lindore dhe perëndimore të lumit me të njëjtin emër, në skajin më juglindor të Shqipërisë. Në pikën më lindore të Shqipërisë, në fshatin Vërnik, shtrihet në gjatësinë gjeografike 210 40‟1. Gjeografikisht, territoret e këtij rrethi shtrihen në nënnjësinë jugore të Krahinës Malore Qendrore, pikërisht në gropat juglindore. Në veri, veriperëndim dhe në perëndim kufizohet me rrethin e Korçës nga lartësitë që zbresin në liqenin e Prespës dhe përgjatë kurrizit të Moravës.

Në jugperëndim kufizohet me rrethin e Kolonjës nga pjerrësitë verilindore të malit të Gramozit, ndërsa në juglindje, lindje dhe verilindje kufizohet me Republikën e Greqisë, përgjatë një vije kufitare prej 83 km, ku ngrihen lartësitë mbi Nikolicë, Arrëzë, Qytezë, Vidohovë, Kapshticë, Vërnik, Rakickë e deri në lartësinë e Llapishtit. Gryka e Cangonjit e lidh këtë krahinë me fushën e Korçës. Në lindje lidhet me shtetin fqinjë, Greqinë, nëpërmjet Grykës së Kapështicës.
Brenda këtyre kufijve, rrethi i Devollit ka një sipërfaqe2 prej 429 m2.Për nga madhësia Devolli grupohet në rrethet e vogla të vendit, duke u renditur i nënti në Shqipëri3. Rrethi i Devollit ka një shtrirje gjatësore horizontale meridionale veri-jug prej rreth 60 km dhe gjerësi maksimale prej 16.5 km.
Kjo krahinë rrethohet nga lartësitë e vargmalit të Moravës në Perëndim, nga malet Vojskovar, Ruki, Pllashovec në lindje, nga mali i Golinit dhe i Qafashticës në veri dhe në jug nga Paçarovi, Bidoja dhe Kruki. Si pjesë përbërëse e Gropave Juglindore, krahina e Devollit përfshihet tek albanidet e brendshme, ku mbizotërojnë shkëmbinjtë sedimentarë (terigjenë në vargun lindor të Moravës, gëlqerorë në lindje, në malësinë e Rakickës dhe të Llapishtit dhe në kontakt me magmatikët në sektorin Tren-Kokogllavë)
Ndryshime e lartësisë së shkojnë nga 850 m mbi nivelin e detit në veri e deri në 1050 te Maja e Lartë në vargmalin e Moravës.

Në pjesën qendrore të kësaj njësie administrative ndodhet lugina e Devollit të Sipërm6, me gjatësi prej 21 km dhe gjerësi prej 7 km. Degët e lumit Devoll kanë marrë emrat e fshatrave ku kalojnë; lumi i Qytezës, i Ziçishtit, i Vidohovës (Shagut), i Hoçishtit, i Pilurit, i Gjyresit, i Babanit, i Llofkës etj. Në pjesën qendrore shtrihet fusha e Bilishtit, e gjatë 10 km dhe e gjerë 7 km, e ndjekur prej fushës së Kurrilës.
Pjesa më e ulët e luginës së Devollit të Sipërm mendohet se ka qenë e mbuluar nga uji në formën e një liqeni që lidhej me liqenin e Korçës nëpërmjet grykës së Cangonjit. Më pas ai është tharë nga lumi i Devollit, i cili bënte shkarkimin e ujërave në Fushëgropën e Korçës dhe ka ndikuar në formimin e Grykës së Cangonjit. Kjo krahinë laget nga ujërat e liqenit të Prespës së Vogël.
Klima e rrethit të Devollit është mesdhetare paramalore juglindore, me nuanca të theksuara kontinentale, për shkak të pozicionit lindor dhe ndikimit më të madh të brendësisë së Gadishullit Ballkanik. Gjatë vitit mbizotërojnë rreshjet e shiut, ndërsa në dimër janë të zakonshme rreshjet e borës.
Hidrografia e rrethit të Devollit mbizotërohet prej lumit Devoll, që e ka burimin e tij pikërisht në malet e kësaj krahine dhe kalon mespërmes hapësirës gjeografike të këtij rrethi. Një element mjaft i rëndësishëm hidrografik i këtij rrethi është prania e liqenit të Prespës së Vogël, i cili po zhduket për shkak të derdhjeve të lumit Devoll, duke u kthyer më tepër në një kënetë.

Përsa i përket bimësisë dhe tokave, Devolli dallohet si një krahinë e pasur me pyje në brezin e dushkut, ahut dhe haloreve, ndërsa në lartësitë mbi 1000 m ka kullota alpine me shumëllojshmëri barishtesh dhe lulesh. Në pjesën perëndimore të kreshtës së Moravës, që njëherazi shërben dhe si kufi administrativ me rrethin e Korçës, ngrihet monumenti natyror i Gurit të Capit (shkëmb në formën e gamiles i formuar si rrjedhim i veprimtarisë eolitike mbi shkëmbinjtë ranorë). Po ashtu, në territorin e kësaj krahine shtrihet rezervati natyror i Cangonjit, ndërsa në Nikolicë gjendet një peizazh i mbrojtur natyror me një bukuri të rrallë.
Kjo krahinë përbën njësinë administrative të rrethit të Devollit, me qendër qytetin e Bilishtit. Si rreth më vete është ndarë në vitin 1992 dhe përmbledh bashkinë e Bilishtit, komunat e Mirasit, Progrit, Bilishtit Qendër dhe atë të Hoçishtit. Në këto komuna përfshihen rreth 45 fshatra, të vendosur përgjatë brigjeve të lumit Devoll, në krahun e majtë dhe të djathtë të tij (duke nisur nga burimet e tij në malet e fshatit Nikolicë). Kjo krahinë, në varësi të relievit të fshatrave dhe vendndodhjes së tyre, ndahet në dy pjesë: në Devollin e Sipërm dhe në Devollin e Poshtëm, të cilat, duke shkuar drejt jugut të krahinës, si ndarje gjeografike lidhen më tepër me faktin e terrenit të thyer malor që vjen duke u ngritur.
Rrethi i Devollit ka një popoullsi prej 42567 banorësh7, me dendësi të ulët, 99. 2 banorë/ km2. Kjo dendësi është nën mesataren e dendësisë së popullsisë në Republikën e Shqipërisë8, çka ka ardhur për shkaqe që lidhen me pozicionin gjeografik të kësaj krahine, me mundësitë natyrore për të siguruar jetesën, me kushtet historike të zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor të krahinës, si dhe me tradita të hershme të zonës që janë mjaft të gjalla dhe sot (p. sh. emigrimi). Nga ana tjetër, kjo krahinë dallohet për nivel të lartë lindshmërie: rreth 12.2%, më e lartë se mesatarja e gjithë qarkut9.

Popullsia e Devollit i ka pasur traditë lëvizjet migratore, si sezonale ashtu dhe të përhershme. Kryesisht migrimi është drejtuar në Greqi, por dhe në Rumani e Bullgari, ndërsa një pjesë e madhe kanë emigruar në SHBA dhe Kanada. Prirje e sotme është dhe lëvizja drejt qendrave kryesore qytetëse të vendit, si në Korçë, Durrës e Tiranë. Megjithatë, duhet theksuar se prirja për emigrim ka qenë kryesisht e banorëve të fshatrave të Devollit të Sipërm (Dardhë, Sinicë, Qytezë, Ziçisht, Bradvicë etj.), për shkak të mundësive të kufizuara për të jetuar në këto zona të thella malore. Ka pasur fshatra, si: Dardha, Grapshi, Ziçishti, Hoçishti etj., të cilat në pjesën më të madhe të vitit mbeteshin pothuaj pa meshkuj të rritur, pasi këta shkonin në kurbet stinor e më vonë në kurbet të gjatë.10 Disa fshatra janë zbrazur pothuajse plotësisht që në vitet „60 të shekullit të kaluar, për shkak të terrenit të thyer malor (Bradvicë, Nilkolicë).

Për më tepër, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar u kufizuan plotësisht dhe rrugët tregtare dhe mundësitë e banorëve për të punuar me punë stinore në Greqi.
Pas viteve „90 të shekullit XX, si në gjithë vendin, edhe në Devoll u përhap gjerësisht emigracioni, si nga zonat malore drejt atyre fushore e sidomos drejt qendrave të mëdha qytetëse, por, mbi të gjitha, u përhap gjerësisht emigracioni në Greqi e SHBA. Vitet e fundit vihet re një prirje e rindërtimit të shtëpive të vjetra ose ripopullimi stinor i disa fshatrave të kësaj krahine nga emigrantët ose nga banorë të tjerë me lidhje të vjetra me fshatrat e tyre. Kjo ndodh për shkak të kushteve klimatike që kanë këto fshatra (sidomos Devolli i Sipërm), si dhe nga një përmirësim i kushteve ekonomike të këtyre banorëve të rinj. Në një farë mënyre, ata po rigjallërojnë jo vetëm jetën ekonomike të fshatit të tyre, por, njëkohësisht, mbajnë gjallë dhe ripërtërijnë traditat dhe kulturën e hershme të krahinës.

Nga pikëpamja ekonomike, në këtë rreth peshën specifike ekonomike më të madhe e mban bujqësia, blegtoria, bletaria e pylltaria. Pjesën tjetër e zë tregtia, transporti, turizmi e shërbime të tjera dhe shumë pak industria. Kuptohet që, faktori natyror, prania e fushave pjellore dhe kullotave të shumta, sidomos në pjesën qendrore dhe veriore të rrethit, në të dy anët e rrjedhës së lumit, por dhe mendësia e theksuar e punës te devollinjtë ka bërë që të mbizotërojnë bujqësia dhe blegtoria. Në këtë krahinë ka prodhimtari të lartë të kulturave bujqësore dhe të frutikulturës. Është një nga krahinat që, si në shekullin e kaluar dhe sot, furnizon me prodhime bujqësore dhe blegtorale me cilësi të lartë një pjesë të mirë të tregut vendës dhe eksporton dhe në vendet fqinjë. Më shumë materiale për Devollin do të gjeni në devolli.net

KOMENTE