Klarita Bajraktari - Ai që trupit të njeriut i jep ritëm dhe jetë është shpirti. Ai e bën trupin të shëndoshë. Shpirti është pikërisht ajo frymë e fundit që njeriu e nxjerr nga trupi kurr ndërron jetë. Prej nga vjen shpirti dhe ku shkon, këtë ende askush nuk e di sigurt. Megjithatë, një gjë është e sigurt, çdo sëmundje e trupit është shenjë e qartë se shpirti vuan.
Mjekët e vjetër kinezë e kanë ditur mjaft mirë se emocionet luajnë rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut. Ato janë në gjendje të shkaktojnë sëmundje edhe te njerëzit shumë të fortë. Mjafton që të godasin në vende më të ndieshme të organizmit dhe sëmundja fillon të merr hov. Të gjitha sëmundjet të shkaktuara prej gjendjes psikike apo çregullimit të saj në mjekësi quhen sëmundje psikosomatike. Këto sëmundje shfaqen në relacionin shpirt - trup.
Dashuria gjithnjë e godet zemrën
Bazuar në studimet e përbashkëta të mjekëve dhe psikologëve, ata kanë ardhur në përfundim se, "dashuria dhe mundimi (neveria) kalojnë nëpër zemër". Por as organet e tjera të trupit nuk janë të kursyera nga "goditjet e shpirtit". "Shpirti i lënduar" godet më shpejt sistemin kardiovaskular si dhe atë të frymëmarrjes dhe të tretjes. Po ashtu edhe pjesët e dukshme të trupit shpesh janë nën goditje të fortë të shpirtit, si p.sh: lëkura, shpina, duart, gjinjtë etj. Është një e dhënë interesante për të verbërit. Ata vuajnë shumë më rrallë nga ekzemat, psoriaza, kruarjet në lëkurë si sukrepi etj., apo nga ndonjë sëmundje tjetër e lëkurës.
Femrat dhe sëmundjet psikosomatike
Shpesh viktima të sëmundjeve të ndryshme psikosomatike janë femrat. Ato anojnë të besojnë se shkaqet e sëmundjeve të tyre trupore janë vuajtjet e natyrës psikologjike. Meshkujt besojnë më pak se shkaktarë kryesorë të sëmundjeve trupore janë problemet psikike. Te meshkujt zakonisht emocionet kanë afat të shkurtër të veprimit. Ata për dallim nga femrat janë ekstravert dhe zbrazen shpejt nga "mbushjet emotive", përderisa femrat çdo gjë e mbajnë në vete dhe lehtësimin e arrijnë duke qarë apo duke thyer pjatat dhe gotat.
Pjesët më të ndieshme të trupit nga "goditjet e shpirtit"
SHPINA - Keni dëgjuar me siguri shpesh kur dikush thotë "Më dhemb shpina". Kjo thënie ka një kuptim tejet relativ, ngase njeriu nuk e sheh shpinën e vet dhe në anën tjetër është vështirë të konstatohet se dikujt i dhemb shpina apo është reflektim i gjendjes së tij psikike. Ndjenja e vujtjes, mundimit, pakënaqësisë, apatisë, mllefit të akumuluar, zhgënjimit, hidhërimit etj., shkaktojnë dhimbje në shpinë dhe rëndim në supe.
SISTEMI I FRYMËMARRJES - Bronket dhe mushkëritë po ashtu janë nën ndikim të madh të problemeve të jashtme. Azmatikët shpesh theksojnë se diçka i zë frymën, u shtrëngon në gjoks. Arsyet janë gjithnjë të natyrës psikologjike. Edhe të sëmurët emocionalë i "shtrëngon diçka në fyt" - ata ndihen kështu pas ndodhive dhe situatave të caktuara dhe nga njerëz të caktuar.
ZEMRA - Pa dyshim është organ që ka lidhje më të fuqishme me jetën emocioale apo me përjetimin e situatave të caktuara. Kur përgatiteni për takim me dikë që doni apo e pëlqeni - ajo fillon të rrahë shpejt. Kur ndodheni pranë personit që vërtet e dashuroni, keni ndjenjën se zemra gati sa "nuk del jashtë nga vendi" Kur të frikësoheni, "zemra ju bëhet akull", apo shtanget!
SISTEMI I TRETJES - Personat introvert (sidomos femrat), që janë të përqendruar më tepër tek vetja, kanë probleme të mëdha me traktin digjestiv. Ata që vuajnë nga gastriti apo nga ulçera, zakonisht kanë probleme në komunikim me rrethin shoqëror.
LËKURA - Kruajtja (sukrepi), njollat e fytyrës tregojnë se personi "nuk e ndien veten mirë në lëkurën e vet". Shikoni vetëm në sytë e dikujt që brenda ditës është zhgënjyer nga dikush që e do, dhe do të vëreni rrathë të murrmë përreth syve. Shenjat në lëkurë na tregojnë qartë se kemi dëshirë që të heqim dorë nga disa situata të jetës apo nga disa njerëz me të cilët jetojmë dhe rrethohemi.
SYTË JANË PASQYRË E SHPIRTIT
Thënie shumë e vërtetë antike - sytë janë pasqyrë e shpirtit. Njeriu shumë gjëra mund t'i fshehë me sjelljet e veta, deklaratat, pamjen e vet, por asnjëherë nuk mund ta fshehë reflektimin e shpirtit në sy. Bebet e syve kontraktohen kur dikush na pëlqen, ndonjëherë mblidhen. Shkëlqimi në sy tregon gjendjen tonë emotive dhe atë psikike. Dridhjet, fokusimi i shikimit janë shprehje të gjendjes sonë të brendshme, por në të njëjtën kohë edhe reaksion në ngacmimet nga jashtë apo në personin që e vështrojmë. Në sytë tanë shihet gjithçka - gjendja emotive, shëndetësore, disponimi etj.