Pak ditë pasi Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e pagave dhe pensioneve, Ministria e Financave paralajmëron se mbajtja e buxhetit nën kontroll do të kërkojë shkurtimin e shpenzimeve edhe në këto zëra.
Top Channel zotëron variantin fillestar që ekspertët e Ministrisë së Financave kanë përgatitur për rishikimin e buxhetit. Ndonëse ende jo zyrtar, në draft vetë Ministria vlerëson se mosrealizimi i të ardhurave buxhetore deri në fund të vitit do të arrijë në 33.5 miliardë lekë, që është sa 9.5 për qind programit vjetor.
Ekspertët e financave thonë se mosrealizimi në këto përmasa mund të kompensohet vetëm përmes shkurtimeve të forta në disa zëra të shpenzimeve, përfshirë pagat,
fondin e pensioneve, shpenzimet e mirëmbajtjejs, por dhe transfertat sociale si ndihma ekonomike apo pagesa e papunësisë.
Sipas llogarive, në total masa e shkurtimeve duhet të jetë të paktën 18.2 miliardë lekë në mënyrë që deficiti dhe borxhi të ruhen brenda kufijve ligjor. Zyrtarisht ligji i buxhetit për këtë vit ka rënë vetëm disa muaj pas miratimit të tij, kur Qeverisë i dolën nga kontrolli të gjithë treguesit e parashikuar, për shkak të rritjes së shpenzimeve por edhe uljes së taksave në prag të zgjedhjeve.
Në kushtet e rrotacionit politik, fati i buxhetit duket se do të mbetet i pavendosur deri në formimin e Qeverisë së re. Por edhe kjo e fundit nuk do të ketë përpara shumë alternativa për të zgjedhur. Rënia e të ardhurave imponon vetëm dy rrugë, ose rritje të borxhit përtej kufirit të përcaktuar në ligj, ose shkurtime drastike të shpenzimeve edhe në zërat më jetik të buxhetit përfshirë transfertat sociale.