English

Celibashi: asgjë nuk do të ndryshojë rezultatin zgjedhor

Deklaratë për shtyp e deputetit Ilirjan Celibashi.

"Vendimet e djeshme të KQZ-së për hapjen e të gjitha kutive të votimit për zgjedhjet në njësitë zgjedhore të Qarkut Lezhë dhe Qarkut Shkodër, janë vendime të marra haptazi dhe tërësisht në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
4 anëtarët e KQZ, nuk mundën që as edhe formalisht të paraqisnin një shkak, apo edhe një pretekst ligjor për këtë vendimmarrje.

Të hapësh të gjitha kutitë e votimit të këtyre Qarqeve, kur asnjë prej palëve të interesuara në këtë proces shqyrtimi nuk e ka kërkuar këtë dhe kur për vetë KQZ nuk ka asnjë indicie qoftë edhe periferike, përbën një sjellje arrogante, si dhe tërësisht në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ-së.
Sjellja e kësaj shumice në largim është tërësisht në kundërshtim me të gjitha qëndrimet dhe deklarimet që ajo ka bërë në të shkuarën në lidhje me kërkesa të tilla edhe pse këto kërkesa kanë qenë tërësisht të mbështetura në prova dhe fakte.

Kjo vendimmarrje e KQZ është në kundërshtim të plotë jo vetëm me ligjin, por edhe me qëndrimet e fundit që ky institucion ka mbajtur në lidhje me kërkesa të tilla të ngjashme, për më tepër kur këto kërkesa kanë qenë tërësisht të mbështetura në indicie dhe prova.
Partia Socialiste nuk ka asgjë kundër dhe mbështet çdo proces për evidentimin e çdo parregullsie ligjore dhe dënimin e atyre që i kanë bërë ato, por kur ky zhvillohet tërësisht në përputhje me kërkesat e ligjit zgjedhor.
Është e qartë për të gjithë se çfarë po ndodh aktualisht në KQZ është rrjedhojë e presionit politik të pakicës në largim.
Edhe pse edhe nxitësit e kësaj iniciative ashtu sikurse edhe Partia Socialiste e kanë të qartë se në fund të fundit asgjë nuk do të ndryshojë në kuptimin e rezultatit zgjedhor, Partia Socialiste e denoncon këtë akt të papërgjegjshëm të KQZ dhe të nxitësve politikë të tij.
E vetmja pasojë që do të vijë nga kjo që po ndodh është komprometimi akoma edhe më shumë i vlerave profesionale të 4 anëtarëve të mbetur të KQZ-së, si edhe komprometimi i vullnetit të qeverisë në largim për të bërë një rotacion qeverisës të denjë për një vend europian.
Ne çmojmë se është mungesë totale e përgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë politike ajo çfarë kjo shumicë qeverisëse në largim është duke bërë.
Edhe pse asnjë vullnet tjetër, kushdo që e zotëron e atë, nuk mundet, të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit, Partia Socialiste do ndjekë dhe do të zbatojë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe politikë për të dënuar dhe denoncuar këdo që edhe me pakujdesi cënon integritetin e rezultatit të këtyre zgjedhjeve."

KOMENTE