English

Analistët: Basha një ngritje të shpejtë në karrierë

Pasi ka arritur majën e karrierës poltike, Basha si shef i opozitës ka përpara një sërë sfidash për partinë e tij, që doli me një humbje të thellë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Mesditën e së martës komisioni zgjedhor qendror në Partinë Demokratike e ka shpallur Lulzim Bashën si fitues të garës për postin e kryetarit të partisë. Ai fitoi bindshëm me afër 80 përqind të votave me rivalin e tij Sokol Olldashi në një proces, ku morën pjesë afër 40 përqind e anëtarësisë në të gjithë vendin.

Një ngritje e shpejtë në karrierë 39 vjeçar, aktivist rinor në Lëvizjen e Dhjetorit 1990 për përmbysjen e diktaturës komuniste, Lulzim Basha një pjesë të aktivitetit të tij e ka zhvilluar jashtë vendit. Gjatë viteve 90 ai ka kaluar periudhë studimesh në Holandë dhe më pas është punësuar në ekipet ekspertëve ndërkombëtarë në Kosovën e pasluftës.
Ai u afrua për kontribuar në PD në vitin 2005, si pjesë e një grupi inteletualësh të rinj, që punuan për programin e partisë në tentativën e rikthimit në pushtet pas 8 viteve në opozitë. Si anëtar i parlamentit në këtë periudhë të së djathtës në pushtet Lulzim Basha mori disa poste të rëndësishme në ekzekutiv. Fillimisht si ministër i transporteve dhe punëve publike, dy vjet më pas ministër i jashtëm dhe pas dy vjetësh emërohet ministër i brendshëm.
Në vitin 2011 Lulzim Basha fitoi garën për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës kundër Edi Ramës, që e kishte atë post prej 11 viteve. Rezultatin e ngushtë të votimeve për pushtetin lokal në Tiranë socialistët e përshkruajnë si të trukuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Si shef i opozitës tashmë Lulzim Basha është sërish në rivalitet të drejtëpërdrejtë me Edi Ramën, që në muajin shtator pritet të fillojë zyrtarisht detyrën e kryeminsitrit të Shqipërisë.

Analistët me mendime të ndryshme për zgjedhjen e Bashës

Dr. Afrim Krasniqi, ekspert i shkencave politike: Për dr. Afrim Krasniqi, ekspert i shkencave politike votimi me parimin "një anëtar një votë" është zhvillim pozitiv, sipas tij megjithëse i vonuar, kjo është shenjë se në të ardhmen do të aplikohet në gjithë integritetin e tij. Për këto zgjedhje mendoj se ishte një eksperiment formal, me kandidatë formalë dhe me problematika të pritshme për një parti politike "pa inventar", me mungese të theksuar demokracie, meritokracie, përgjegjësie publike dhe transparence, shprehet Afrim Krasniqi për DW.
"Vetë problemet nxorrën në pah nevojën e madhe të PD dhe partive shqiptare për reformim dhe modernizim, tipare që nisën në vitet '90 dhe që u anashkaluan gjatë viteve, sidomos në dekadën e fundit, kur kjo parti u identifikua tërësisht me emrin, zërin, vullnetin dhe interesin e një individi të vetëm. Mëkat që partia e studentëve dhe intelektualëve të vuajë pas 23 vitesh nga parimet demokratike të organizimit dhe mendimit të lirë alternativ. Mëkat më i madh është që nga 365 themeluesit e saj dje u lejuan të votojnë vetëm 9 persona, edhe këta për shkak të lidhjes besnike me pushtetin aktual në PD dhe në qeverisjen tranzitore të vendit".
Sipas dr. Krasniqit themeluesit e tjerë, ose u përjashtuan tërësisht nga procesi, ose në momentet e fundit edhe nga listat si votues potencialë.

Basir Çollaku, drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ATSH, ka mendim ndryshe për garën, që u zhvillua për liderin e ri të PD-së. Ai e vlerëson si një garë të vërtetë nën parimin, një anëtar një votë, që ofroi një përballje reale mes kandidatëve me profil të lartë politik, kontribut të gjatë e të konsiderueshëm në parti.

"Demokratët dëshmuan se kanë energjinë, maturinë dhe qartësinë për të ndërtuar modelin e zgjedhjes së lidershipit, mbi baza të rezultateve dhe shpresës së tyre, pritshmërisë për të qenë fitues në garat e ardhshme ndaj kundërshtarëve politikë. Ajo ishte një garë, nga e cila PD ka dalë me një përvojë të re, të cilën duhet ta pasurojë dhe përsosë me element, si stafet, apo programet, që të shfaqen hapur deri në detaje", thotë Çollaku për DW.
Sa i takon perspektivës së PD nën drejtimin e kryetarit të ri, ai mendon se ka potenciale të bëjë një opozitë të fortë profesionale cilësore.
"Jam i bindur se nuk do ti ngjajë aspak opozitës së dhunshme socialiste, pasi në misionin dhe investimin e demokratëve, integimi i Shqipërisë është prioritet pa kompromis. Basha, ashtu siç e ka shfaqur idenë në fushatë, duhet të ridimensionojë raportin me militantët, kontributet, shtresat kapilare të së djathtës, të përndjekurit, ish-pronarët, e çdo qëndrim opozitar. Lideri i ri duhet të analizojë rezultatin, të riorganizojë partinë në të gjithë vendin, t'u dëshmojnë qytetarëve se interesi i tyre, është shumë më i rëndësishëm se i partisë e kjo do të jetë rruga më e shpejtë e ardhjes në pushtet. "

PD me kryetar Lulzim Bashën dr. Afrim Krasniqi e shikon me përmbajtje. Sipas arsyetimit të tij përderisa është pranuar se ish kryetari do mbetet figurë kryesore dhe se kryetari i ri ka zgjedhur si model politik modelin e ish kryetarit të votuar me 1 milion vota kundër më 23 qershor, nuk priten zhvillime të dukshme pozitive.
"Eshtë njës proces i përkohshëm, por që do të çojë patjetër në një fazë tjetër të mëvonshme reformimi dhe hapjeje. Basha do të mundohet të krijojë portretin e tij politik brenda hapësirës së lejuar, por është pozitiv fakti se ai nuk do të këtë fuqi përjashtuese si paraardhësi i tij. Gjithësesi ai nuk do të ketë as liri të dukshme veprimi dhe siç u pa nga fushata, nuk ka ende një projekt të qartë për demokratizimin në PD, për programin e ri politik, për zgjerimin e aleancave dhe për eleminimin e faktoreve të shumte penalizues, që kaluan të djathtën në opozite".

Berisha, një fillim i ri dhe i fuqishëm i PD

Pa pritur ende artikulimin zyrtar të rezultatit nga Komisioni Qendror i PD-së , lideri historik Sali Berisha e ka uruar pasuesin e tij nëprmjet një mesazhi në rrjetet sociale. Sipas Berishës zgjedhja e Lulzim Bashës ishte “me një mbështetje plebishitare nga anëtarësia e parttisë". Lulzim Basha është historia e suksesit të të riut shqiptar në liri dhe që i ka bërë shërbime të çmuara PD-së, vendit dhe kombit të tij. Ju ftoj të punojmë fort e me përkushtim nën udhëheqjen e liderit tonë për një fillim të ri e të fuqishëm të PD, vendimtar për fitoren e ardhshme të saj, integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë!”
Shefi i opozitës, jo deputet dhe "kryeministër" në Tiranë.
Partia Demokratike për disa vjet rrjesht ka qënë shpotitëse, kritike dhe deri në akuza politike për kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Rama megjithëse ishte shefi i opozitës, drejtonte bashkinë më të madhe në Shqipëri, Tiranën, ndërkohë që nuk ishte deputet i parlamentit. Një nga protagonistët, që ia ka përmendur disa herë Edi Ramës këtë handikap në karrierën e tij politike, ka qenë dhe Lulzim Basha. 2Ai e ka pasur mendjen tek partia dhe jo tek problemet e qytetarëve të Tiranës" ishte një shprehje, që Basha e ka përsëritur disa herë publikisht.
Tashmë shefi i ri i opozitës është në të njëjtat pozita. Kjo është një nga sfidat e tij në drejtimin e partisë, duke mos qenë në sallën e parlamentit, ku opozita e ka ambjentin më të përshtatshëm për betëjen e saj politike. Sfida të tjera për kryetarin e ri të PD-së jane dhe mbajtja e bashkuar e partisë pas një humbje shumë të thellë nga zgjedhjet parlamentare, ku ai vetë ishte një aktor, që luajti shumë fort gjatë fushatës elektorale, sidomos në kryeqytet.

KOMENTE