Në vigjilje të Takimit të Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, Presidenti Nishani zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Francës, François Hollande.
Presidenti Nishani falenderoi Francën për mbështetjen e vazhdueshme, dhënë Shqipërisë në procesin e reformave dhe integrimin evropian, kërkoi vijimin e kësaj përqasjeje dhe garantoi se Shqipëria do të mbetet e angazhuar në përshpejtimin e reformave për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, në realizimin e agjendës së saj evropiane dhe do të vazhdojë të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke ndjekur me vendosmëri politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitur bashkëpunimin rajonal. Kreu i Shtetit ftoi gjithashtu bizneset franceze që të jenë më të pranishme në Shqipëri.
Presidenti Hollande shprehu mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Shqipërisë dhe vlerësoi zgjedhjet e fundit si një dëshmi më shumë të përparimit të demokracisë.
Presidenti francez u shpreh se Franca do të mbështesë marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në përgjigje të interesimit të homologut të tij francez, Presidenti Nishani përsëriti qëndrimin se Shqipëria i inkurajon shqiptarët në rajon të veprojnë institucionalisht në mbështetje të zhvillimit dhe prosperitetit të vendeve ku jetojnë.