Në një takim me drejtues të bankave në Shqipëri, kryeministri i ardhshëm Edi Rama deklaroi se duhet ndërtuar një strukturë e ndërmjetme mes qeverisë dhe botës së sipërmarrjes.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se mbetet i angazhuar për të mbajtur një partneritet solid me bankat.
“Jam këtu për të rikonfirmuar vullnetin e shprehur më parë për të ndërtuar një partneritet solid me gjithë ju, sikundër edhe me protagonistët e zhvillimit dhe faktikisht sistemi bankar është protagonist i rëndësishëm ku sot mund të thuhet se qe në gjendje ta përballojë dallgën e fortë të një krize ekonomike që është shtrirë në gjithë hapësirën e zhvillimit ekonomik të vendit, por nuk e preku këtë sistem” tha Rama.
Rama ka deklaruar më tej se do të ketë një audit ndërkombëtar i cili do të përcaktojë qartë financat e vendit ndërsa shtoi se menaxhimi i Institutit të Statistikave do të jetë jashtë politikës.
“Ne jemi shumë të interesuar e të vendosur që në këtë fazë të parë të bëjmë gjithçka që e vërteta e ekonomisë sonë të dalë në pah, besojmë se jetojmë me një gjysmë të vërtetë, se shumë nga të dhënat e procesit qeverisës nuk janë pjesë e transparencës së domosdoshme për të përballuar krizën që kemi rreth e rrotull. E kam përshëndetur nismën e guvernatorit për të nxitur programin e vlerësimit të sektorit financiar me ekspertizën e FMN dhe BB. Do të kërkojmë nga një kompani ndërkombëtare auditimi për të pasur në tryezë të gjithë të vërtetën. Duam që një orë e më parë INSTAT të shkëputet nga tutela e qeverisë dhe të kthehet në institucion të pavarur, binjakëzim të tij me një tjetër të një vendi të BE dhe menaxhimit për 5 vjet nga INSTAT i atij vendi. Menaxhimi i INSTAT të jetë jashtë kontrollit të politikës” tha Rama.
Nga ana e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani theksoi se ekonomia shqiptare po përballet me sfida të mëdha ciklike dhe strukturore.
"Përballimi i sfidave kërkon një vizion optimist dhe largpamës. Kyce është ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik dhe ndjekja e politikave stimuluese", theksoi Fullani. Guvernatori shtoi se kusht i domosdoshëm është ruajtja e balancave makro-ekonomike.