Disa keshilla sh te vlefshme per nenat e ardhshme. Keshilla bukurie
Menuja ideale gjatë shtatzanisë
“Këshillohet që gruaja shtatzënë të pijë sa më shumë lëngje dhe ujë, sepse e ndihmojnë në pastrimin e veshkave dhe gjakut”
Këshilla e parë që vjen nga mjekët gjinekologë është një dietë e ekuilibruar, e shëndetshme dhe e larmishme. E për ta garantuar këtë, specialistët rekomandojnë që dieta e gruas shtatzënë duhet të përfshijë ushqime të pasura me fibra, kripëra minerale, vitamina (fruta-perime) proteina (mish, peshk, vezë, quëmsht dhe bulmetra) dhe karbohidrate (makarona, oriz, dhe bukë). Të gjitha këto substanca që ndikojnë në ruajtjen e shëndetit të gruas dhe zhvillimin normal të fetusit.
“Mbi të gjitha duhet të eliminohen yndyrnat, shqernat dhe kolesteroli, megjithëse jo në mënyrë drastike. Në të njëjtën kohë këshillohet që gruaja shtatzënë të pijë shumë ujë, sepse pastron veshkat dhe gjakun”,- këshillon gjinekologu Frederik Karanxha.
Sipas mjekut, nëna e ardhshme nuk duhet të tregohet e obsesionuar ndaj ushqimit, sepse nëse ha shumë, kaloritë e tepërta depozitohen si dhjamë në pjesën e hijes dhe kofshëve dhe pas lindjes do të jetë e vështirë të rikthehet në peshën normale.
“Rekomandohet që pesha trupore duhet të jetë e qëndrueshme gjatë tre muajve të parë të shtatzanisë dhe më pas të shtohet me 1,5 kg në muaj për gjatë 6 muajve të tjerë, në mënyrë që të mos i kalojë 12 kg”,- shton më tej specialisti.
Sipas tij, kjo mund të arrihet vetëm duke patur një regjim ushqimor ditor të larmishëm dhe të ekuilibruar, me ushqime të pasura me kripëra minerale, vitamina, karbohidrate dhe fibra, sepse sigurojnë zhvillimin normal të fetusit.
Rekomandimet
Këshilla për tremujorin e parë
Me nisjen e shtatzanisë organizmi i gruas nis të modifikohet, pasi fetusi nis të zhvillohet me “hapa gjigantë”. Gjatë tremujorit të parë janë të shpeshta të përzierat, prandaj specialisti këshillon që nëna e ardhshme duhet të hajë pak dhe shpesh, duke ulur konsumimin e ushqimeve të pasura me yndyrna dhe duke shtuar ato që janë të pasura me karbohidrate, drithëra, perimet dhe frutat.
“Por mbi të gjitha është e rëndësishme që gruaja shtatzënë të ndjekë një dietë të ekuilibruar dhe normale, duke shtuar gradualisht konsumin e perimeve me gjethe të gjelbra, që përmbajnë mjaft acid folik, një element ky mjaft i rëndësishëm për zhvillimin normal të fetusit”,- nënvizon specialisti.
Tremujori i dytë
Gjatë fundit të këtij tremujori, me zhvillimin e ndjeshëm të mitrës dhe fetusit, rriten dhe nevojat ushqimore të nënës, e cila duhet të jetë më e kujdesshme në regjimin ushqimor.
“Në këtë periudhë duhen eliminuar ushqimet me shumë kalori, si: sheqernat dhe yndyrnat, që përveçse të shëndoshin, nuk janë të ushqyeshme. Ne rekomandojmë shtimin e konsumimit të peshkut, vezës dhe mishit, sepse ndihmojnë në formimin korrekt të sistemit nervor të fetusit, që gjatë këtij tremujori bëhet më i plotë. Në të njëjtën kohë duhen privilegjuar ushqimet e pasura me vitamina dhe kripëra minerale”,- këshillon më tej gjinekologu.
Duhet të përdorni shumë ujë dhe ushqime me fibra, të eliminoni ushqimet pikante dhe erëzat, sepse mund të sjellin probleme me tretjen.
Tremujori i tretë
“Gjatë fazës së fundit të shtatzanisë, gruaja ndihet e lodhur dhe e rënduar, për shkak të shtimit të ndjeshëm të peshës së fetusit (2,8-3,5 kg). Për të përballuar më mirë këtë periudhë këshillohet që gratë shtatzëna të hanë në doza të vogla, por më të shpeshta, duke vazhduar të privilegjohen karbohidratet, drithërat dhe perimet”,- shton më tej mjeku.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe mund të ndodhë të shfaqen probleme me djegien e stomakut dhe për t’i eliminuar, gruaja shtatzënë duhet të tregohet e kujdesshme që të mos shtrihet sapo të ketë ngrënë. Por dhe një gotë qumësht apo kamomil përpara gjumit, është mjaft e mirë për të eliminuar problemet. Në të njëjtën kohë rekomandohet të eliminoni yndyrnat, çokollatën, sepse stimulojnë problemin me stomakun.