Referuar deklaratave të bëra sot në media nga zëdhënësja e Avokatit të Popullit, lidhur me çështjen e toponimeve, Ministria e Punëve të Jashtme deklaron sa vijon:
-Ashtu siç iu komunikua edhe Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi gjatë takimit që zhvilluan së bashku ditën e premte, datë 26 korrik 2013, Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë dhe vazhdon të mbetet plotësisht e angazhuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje, dhe të tjerave në agjendën dypalëshe me Greqinë.
Sa i përket çështjes së toponimeve, ajo është bërë pjesë e agjendës së bisedimeve zyrtare me palën greke qysh në vitin 2011, kur kjo e fundit e ngriti si problem. Në funksion të zgjidhjes së saj janë zhvilluar një numër i madh takimesh dypalëshe, në Tiranë dhe Athinë. Gjatë këtij viti Ambasadori grek është thirrur në mënyrë të përsëritur në MPJ për këtë çështje dhe po ashtu, Ambasadori ynë në Athinë ka zhvilluar rregullisht takime në MPJ-në Greke. Kjo çështje është ngritur nga pala jonë edhe në takimet e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi me Homologun e tij grek, z. Dimitris Avramopulos.
Në këtë kuadër të zgjidhjes së çështjes së toponimeve Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me atë të Drejtësisë, i ka përcjellë një propozim konkret palës greke, prej së cilës pritet një përgjigje.
Çështja e toponimeve mbetet prioritet për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ditën e mërkurë, datë 31 korrik 2013, Ambasadori ynë në Athinë, z. Dashnor Dervishi do të zhvillojë një takim me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Evangelos Venizelos ku, ndër të tjera, do të trajtojë edhe këtë çështje prioritare, duke kërkuar një zgjidhje përfundimtare, të qëndrueshme, të pranueshme nga të dyja palët, dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.