English

Basha: Çdo ndërtim pa leje do të prishet. S'ka legalizim

Ashtu siç ishte angazhuar kryebashkiaku Basha, për t’u deleguar më shumë kompetenca njësive vendore, nga sot 11 njësitë e Tiranës do të ushtrojnë pjesërisht funksionet e sigurimit, të rendit e qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit përkatës, funksionet e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit.Për të kryer këto funksione, njësive bashkiake u delegohen 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimorë Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh, për shpenzimet operative.Në një takim me drejtues të njësive vendore dhe punonjës të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimorë, kryebashkiaku Basha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për të mos toleruar asnjë ndërtim pa leje në Bashkinë e Tiranës. Delegimi i kompetencave edhe pranë njësive bashkiake sipas Bashës është një kontribut më i madh në këtë drejtim.Zoti Basha ka sqaruar gjithashtu se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj ushtrimit të këtyre funksioneve nga inspektorët dhe njësitë bashkiake që do t’i kenë që sot në varësi.

“Do të ketë një kompetencë të plotë vendimmarrjeje dhe ndërhyrje të plotë në ato raste kur konstatohet se ju nuk po veproni në kohë apo nuk po veproni siç duhet. Natyrisht kjo do të sjellë pasoja si për ju, si për njësitë bashkiake, por unë dua ta nisë sot me mirëbesim se kjo masë do të japë efektet  e dëshiruara, pikësëpari me një problem madhorë që është konstatuar këto muaj që rëndon në periudha elektorale, që janë ndërtimet pa leje në qytetin e Tiranës, ku toleranca do të jetë zero, larg çdo tentative për ta politizuar, larg çdo presioni të çfarë do pale për të përdorur lidhje kontakte, emra për të kryer veprimtari të paligjshme ndërtimore në qytetin e Tiranës”- tha Basha.

Kryebashkiaku Basha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për të prishur ndërtimet pa leje të ndërtuara në territorin e Tiranës, sikundër ka bërë sërisht të ditur se kushtet kur Tirana ka një plan urbanistik dhe marrja e një leje ndërtimi është sot më e thjeshtë, asnjë ndërtim i tillë nuk mund të përfitojë legalizim.“Sot në prani të një plani urbanistik që e bën marrjen e lejes më të thjeshtë se kurrë më parë është detyra juaj e parë më kryesore dhe e prerë të veproni në mënyrë energjike nën drejtimin e kryetarëve të njësive bashkiake për të identifikuar çdo proces, shkelje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje, për të marrë hapat ligjore qoftë nga vendosja e gjobave dhe masave të tjera administrative deri tek prishja në flagrancë, prishja totale e këtyre objekteve. Çdo objekt i nisur në këtë formë  e pret një dhe vetëm një fat, ai që i rezervon ligji, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë procedurë legalizimi në raport me këto ndërtime. Kjo të jetë e qartë “si drita e diellit” dhe t’i bëhet e qartë qytetarëve”- u shpreh kryebashkiaku Basha.Hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit Bashkiak për decentralizimin e këtyre kompetencave është  vetëm hapi i parë sipas Bashës. Krybashkiaku Basha ka bërë të ditur se të tjera kompetenca do t’u kalojnë njësive të qeverisjes vendore  në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak.“Së shpejti në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të paraqitet një tjetër  projekt-vendim, i cili do t’u bëj të mundur atyre të ushtrojnë kompetenca të tjera për sa i përket çështjeve që ju vinë në ndihmë qytetarëve, riparime, mure oborresh, taracash apo çatish, hapja apo jo e një dritareje, vënia e një pompe uji, nuk kanë pse të jenë më atribute që trajtohen vetëm në Bashkinë e Tiranës, por do të decentralizohen në mënyrë të plotë dhe do të jenë kompetenca që do të trajtohen nga kryetarët e njësive vendore.Bashkëpunimi me kryetarët e njësive vendore do të shtrihet edhe në fusha të tjera, ndaj ne duhet të forcojmë dhe aty ku nuk e kemi, të nisim një kulturë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, ku në objektiv dhe në fokus ka vetëm një qëllim: shërbimi sa më i mirë ndaj interesave të qytetarëve të Tiranës. Çdo axhendë, çdo objektiv, çdo prioritet apo falsoprioritet tjetër të harrohet dhe mos të vij në konflikt me këtë imperativ të jashtëzakonshëm për të cilin sot jemi këtu, jemi zotuar para qytetarëve të Tiranës dhe paguhemi nga taksat e tyre”- ka përfunduar Basha.

KOMENTE