Fron Nahzi - Gazeta amerikane “Hufington Post” i ka kushtuar një artikull korrupsionit në Shqipëri, ku ka theksuar se duhet “Një Superman” për të fituar këtë luftë.
Kryeministri i sapozgjedhur i Shqipërisë, Edi Rama, ka trashëguar një qeveri dhe një vend në prag të kolapsit financiar dhe social. Partia Demokratike po largohet duke drenazhuar financat e shtetit, forcuar lidhjet midis pushtetit dhe mafias, dhe ka krijuar një shtet ku sundon ligji i Partisë Demokratike. Për të shpejtuar mbushjen e kësaj grope të madhe dhe për të tërhequr investimet shumë të nevojshme ndërkombëtare, Rama e ka bërë luftën kundër korrupsionit përparësinë kryesore të tij, shkruan gazeta amerikane.
“Nëse Edi Rama nuk ka veshur një kostum të ngushtë dhe një pelerinë të kuqe, ai do të ketë nevojë për ndihmë emergjente dhe të qëndrueshme nga qeveritë e tjera. SHBA dhe BE, ku Shqipëria aspiron të anëtarësohet, duhet të mbështesin ankesat për korrupsion duke u angazhuar në mënyrë aktive. Ata nuk duhet të jenë më thjesht tifozë të qeverisjes së mirë, por të bashkojnë forcat për të prerë tentakulat e mafies shqiptare”, shkruan “Hufington Post”, sipas së cilës këto tentakula sipas raportimeve të shpeshta e lidhin elitën politike të vendit me trafikun e drogës, qenieve njerëzore, bixhozin, ndërtimet e paligjshme, kontrabandën e naftës etj.
Duke iu referuar një kabllogrami te Ëikileaks, theksohet se drejtuesit e Shqipërisë janë “shkelësit e ligjit të kthyer në ligjvënës”.
“Për të zgjidhur këtë nyje, Rama ka nevojë për ndihmë”, -nënvizon gazeta amerikane. “Reformat e guximshme dhe të gjithanshme, nëse ai vendos t’i hyjë kësaj rruge, do të kërkojnë mbështetjen e fortë ndërkombëtare dhe kriticizmin e fortë të publikut kur reformat të ngadalësohen. Kritike është monitorimi i vazhdueshëm për të siguruar se një regjim i ri i korruptuar nuk do zëvendësojë atë të vjetrin. Eksperienca e mbështetjes perëndimore për Misha Sakashvilin në Gjeorgji ka rëndësi këtu: Sakashvili erdhi në pushtet me angazhimin anti- korrupsion dhe së fundmi u flak nga pushteti me votë pikërisht për të njëjtat abuzime”, theksohet në këtë shkrim.
Gazeta amerikane vlerëson më tej se as ndihma e ndërkombëtarëve nuk ka qenë ajo që pritej në këtë drejtim.
“Për fat të keq, edhe liga e super- miqve të huaj mbeti thjesht një libër me superheronj dhe shqiptarët vazhdojnë të jenë të heshtur në lidhje me korrupsionin, duke u varur në pikëpamjet e tyre politike. Zyrtarët kryesorë dhe bosët e mafies nga ana tjetër vazhdojnë të bëjnë para.
“Europa dhe SHBA nuk duhet të adoptojnë një qasje “prit- dhe- shih”, por duhet të bashkohen me Ramën duke marrë një pozicion aktiv publik kundër bosëve të krimit të organizuar. Kjo do të thotë se ata duhet të shfrytëzojnë organet e zbatimit të ligjit dhe agjencitë e inteligjencës së vendeve të tyre për të identifikuar dhe ndjekur penalisht bosët e mafies dhe përkrahësit e tyre brenda dhe jashtë qeverisë”,- vijon më tej shkrimi.
Edhe pse kjo analizë nis me pyetjen ironike: Supermen ku je?, ai mbyllet me një këshillë të thjeshtë: Shqipëria nuk ka nevojë për superheronj. Ajo ka nevojë për nëpunës publikë që i binden ligjit dhe fonde për shërbimet qeveritare që të përmirësohet jeta e qytetarëve. Për fat të keq kjo mund të arrihet vetëm nëse Rama do e çlirojë Shqipërinë nga kthetrat e krimit të organizuar. Kjo është e mundur me ndihmën e miqve.