English

Ja si llogaritet rritja e pensioneve .Që në 1 gusht 2013, fillon rritja e të gjitha kategorive të pensionve

Duke filluar nga sot, 01.08.2013, do të nisë rritja e të gjitha kategorive të pensioneve. Duke u mbështetur në VKM nr.583, datë 17.07.2013 “Për rritjen e pensioneve”, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përfunduar rillogaritjen për çdo kategori, duke bërë të mundur që shtesa përkatëse të tërhiqet nga çdo pensionist në datën e caktuar, sipas grafikut të tërheqjes së pensionit. Kush përfiton Në bazë të këtij vendimi, rritjen në masën 4% e përfitojnë: pensionet e pleqërisë, pensionet familjare dhe pensionet e invaliditetit të qytetit. Ndërkaq, rritjen në masën 5% e përfitojnë: pensionet e pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare në fshat. Gjithashtu, rritjen me 4% do ta përfitojnë pensionet apo përfitimet tjera që jepen nga sigurimet shoqërore, si pensionet e parakohshme e suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të policisë së shtetit, të pilotëve fluturues, të detarëve, të punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake dhe të ish-punonjësve të nëntokës etj. Shtesat e tjera Ndërkaq, krahas të ardhurave nga pensioni, pensionisti do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me Vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjestar të familjes, që është në varësi ekonomike të pensionistit etj. Gjithashtu, pensionisti do të vazhdojë të përfitojë nga politikat e kompensimit të pensioneve sipas VKM nr. 401, datë 21.06.2006 - kompensim prej 500 lekësh dhe sipas VKM nr. 763, datë 27.12.2006 në masën prej deri 760 lekë në muaj dhe në masën 190 lekë në muaj sipas VKM nr. 415, datë 27.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”, si dhe masën 200 lekë në muaj sipas VKM nr. 474, të vitit 2010. Pra, në total, nga rritja më e fundit, përfitojnë 303.100 pensione pleqërie urbane, 57.068 pensione invaliditeti urbane dhe 48.053 pensione familjare urbane. Në fshat përfitojnë 136.828 pensionistë pleqërie, si dhe 30.205 persona nga programe speciale si ushtarakë, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake, pilotë, detarë dhe profesorë. Në total nga ky vendim përfitojnë 591.600 persona. Sa shkon pensioni i vogël Pas kësaj rritjeje pensioni minimal në qytet do të jetë 12.024 lekë në muaj, ndërsa pensioni maksimal 24.048 lekë. Pensioni i plotë minimal në fshat do të jetë 8.233 lekë në muaj dhe pensioni maksimal shkon deri në 12.140 lekë në muaj. Si pasojë e kësaj rritjeje do të transferohet drejt buxheteve familjare të pensionistëve një shumë prej 1 574 milionë lekë, fond ky i vënë në dispozicion të ISSH-së nga Qeveria.

Si llogaritet shtesa për pensionet e plota dhe të pjesshme

Pensioni minimal i pleqërisë i caktuar para datës 01.08.2013 përfshirë edhe këtë datë, që është në masën 11.562 lekë në muaj, me datën 01.08.2013 arrin në masën 12.024 lekë në muaj, pra pëson një rritje prej 462 lekësh në muaj, çka bën që të ardhurat minimale të pensionistit të arrijnë në 14.174 lekë. Në të ardhurat e pensionistit, sipas kësaj llogaritjeje, nuk përfshihen ata pensionistë, të cilët përfitojnë kompensimin e energjisë elektrike në masën 640 lekë në muaj si çift pensionistësh apo si pensionist i vetëm. Pensioni i pjesshëm i pleqërisë, që është caktuar para datës 31.07.2013, duke përfshirë edhe këtë datë, që në datën e sipërshënuar është psh 10.608 lekë në muaj, do të arrijë një total të ardhurash në masën 13.129 lekë në muaj

Pensioni minimal

Kjo e ardhur përbëhet nga:

12.024 lekë, masa e pensionit minimal;

350 lekë kompensim nga VKM nr. 138, datë 31.03.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”;

150 lekë kompensim nga VKM nr. 471, datë 15.07.1996 “ Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm;

500 lekë kompensim nga VKM nr. 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; ?760 lekë kompensim nga VKM nr. 763, datë 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve;

190 lekë kompensim nga VKM nr. 415, datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”;

200 lekë kompensim nga VKM nr. 474, datë 30.06.2010 “Për rritjen e pensioneve”; 12.024 + 350 + 150 + 500 + 760 + 190 + 200 = 14.174 lekë.

Pensioni i pjesshëm i pleqërisë

Kjo e ardhur përbëhet nga:

10.608 lekë, masa e pensionit të caktuar;

350 lekë kompensim nga VKM nr. 138, datë 31.03.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”;

150 lekë kompensim nga VKM nr. 471, datë 15.07.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm;

500 lekë kompensim nga VKM nr. 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; ?725 lekë kompensim nga VKM nr. 763, date 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”;

181 lekë kompensim nga VKM nr. 415, datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”;

191 lekë kompensim nga VKM nr. 474, datë 30.06.2010 “Për rritjen e pensioneve”. 11.032+350+150+500+725+181+191=13.129 lekë.

Pensioni i plotë i pleqërisë

Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte 23.123 lekë + 350 + 150 = 23.623 lekë

Bëhet 24.048 lekë + 350 + 150 = 24.548 lekë

Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:

Ishte 7.841 + 200 + 690 = 8.731 lekë

Bëhet 8.233 + 200 + 690 = 9.123 lekë

Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit: 12.024 + 200 = 14.024 lekë

KOMENTE