Këshilli i Bashkisë së Tiranës ka vetëm 5 ditë për t’u mbledhur, pasi në rast të kundërt, rrezikon që të shpërndahet. Për herë të fundit, Këshilli i Bashkiak u mblodh më 3 maj, mbledhje e cila u bojkotua nga këshilltarët e djathtë dhe u cilësua e paligjshme. Gjithsesi, për shkak të shumicës që janë të majtë, data 3 maj shënon dhe mbledhjen e fundit zyrtare në të cilën është mbledhur këshilli. Por, sipas ligjit, mbledhja e radhës nuk duhet të zhvillohet më larg se brenda 3 muajve. “Mbledhja e këshillit komunal ose bashkiak quhet e vlefshme kur në të merr pjesë shumica e të gjithë anëtarëve të këshillit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet një shumicë tjetër për marrjen e vendimeve”, thuhet në ligjin për organizimin dhe funksionimim e qeverisjes vendore.
Sipas ligjit për organizimin e qeverisjes vendore, nëse këshilli bashkiak nuk mblidhet për tre muaj ai vetëshpërndahet. “Kur këshilli nuk mblidhet për shkak të mungesës së anëtarëve të tij gjatë tre muajve, duke filluar nga data e mbledhjes së fundit të tij, këshilli quhet i vetëshpërndarë. Vetëshpërndarja pasohet me zgjedhje të reja për këshillin përkatës dhe sekretari i këshillit komunal ose bashkiak, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 3 mujor, njofton prefektin” shkruhet në nenin 31 në ligjin për organizimin dhe funksionimim e qeverisjes vendore. Data 3 gusht është afati maksimal, i cili pranohet edhe nga këshilltarët e majtë, ndërsa për të djathtët të cilët nuk pranojnë që ta njohin mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, Këshilli rezulton i shpërndarë pasi kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore.