English

Rezultatet skandalozë të nxënësve shqiptarë, vijnë për shkak të kushteve jo të mira në shkolla

“Paralelet e mjekësisë duhet të dërgohen në shkollën amë, atje ku e kanë vendin. Këtë e diktojnë kushtet, mungesa e hapësirave dhe laboratorëve për atë lloj shkollimi. Në ZLM nuk ka laborator për farmacistë, nuk ka kabinet për teknikë dhëmbësh dhe as kushte medicinale”, deklaron Sahar Sadiku, u.d. drejtor në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Kabinetet mungojnë edhe për lëndët e kimisë, fizikës dhe biologjisë, ka deklaruar Sadiku për koha.mk

Rezultatet skandalozë të nxënësve shqiptarë në provimet e Maturës Shtetërore 2013, nuk ka dyshim se kanë arsyet e veta. Me shkolla të mbipopulluara, pa kabinete e laboratorë, por edhe me mungesë të theksuar të kushteve elementare për mësim, nuk ka se si të priten rezultate të larta në mësim. Në gjimnazin “Zef Lush Marku”, për shembull, punohet në kushte jashtëzakonisht të vështira, me rreth 2.000 nxënës në të njëjtin objekt. Nuk ka shumë që për këtë gjimnaz është lëshuar në përdorim objekti i ri. Konkretisht, prej vitit shkollor 2007/2008, ata janë sistemuar në hapësira të reja shkollore, mirëpo sa u takon kushteve të punës, sikurse vëren drejtori Sahar Sadiku, koha është ndalur në shekullin e kaluar.

“Në kohën e tanishme, kërkohet që shkollat të punojnë me kushte moderne, ndërsa ne kemi ngelur ende me kushtet e shekullit XX”, pohon ai. Sadiku, i cili prej pak kohës ushtron detyrën e drejtorit të ZLM-së, kërkon gjithashtu që nga objekti i këtij gjimnazi të dislokohen paralelet e mjekësisë, respektivisht të vendosen në shkollën e mesme të Mjekësisë “Pançe Karagjozov” apo “aty ky e kanë vendin”, sikurse shprehet ai. Sadiku ka bërë këtë deklaratë menjëherë pas nxjerrjes së listës me emrat e 95 shkollave të mesme publike në Maqedonisë dhe radhitjes së tyre sipas rezultatit që kanë treguar nxënësit në provimet e Maturës Shtetërore 2013. Ranglista në fjalë, i nxjerrë shkollat me mësim në gjuhën shqipe të fundit në listë. Regresin më të madh e ka shënuar ZLM, me 14 vende më poshtë se viti i kaluar. Nga pozitë e 36-të ku ndodhej vjet, këtë vit gjendet në pozitën e 50-të.

“Në radhë të parë kemi mungesë hapësirash të nevojshme, pasi shkolla është e mbingarkuar me nxënës dhe numër të madh paralelesh. Vitin e kaluar, në ZLM u formuan 12 paralele të reja me 327 nxënës, kurse këtë vit - 18 paralele me 531 nxënës”, tregon drejtori. Arsyeja e dytë që ndikon në suksesin e dobët të nxënësve, thotë se ka të bëjë kushtet jo të mira në të cilat zhvillohet mësimi.

“Mungojnë kabinetet për lëndët e kimisë, fizikës dhe biologjisë, ashtu sikurse mungojnë edhe hapësirat ku nxënësit do të mund të realizonin aktivitete plotësuese”. E gjithë kjo, nënvizon Sadiku, ka bërë që në gjimnazin e ZLM-së të mos ketë kushte për mësim kualitativ dhe për pasojë të gjendemi në atë pozitë, të cilën na nxori ranglista e Maturës 2013. ZLM që deri vonë ishte krenaria e shqiptarëve të kryeqytetit ka nisur katandinë që kur menaxhimin e saj e mori në dorë politika. Respektivisht, që kur drejtorët nisën të emërohen nga partia dhe jo në Këshillin e shkollës, që kur punësimet e profesorëve bëhen sipas lidhjeve fisnore dhe politike dhe që kur me rekomandim të funksionarëve të lartë nisën të mbushen klasat me nxënës, të cilët në vitin e parë përfundonin me 5-6 nota të dobëta apo edhe më shumë. Sikur të mos mjaftonte gjithë kjo amulli, nga e cila nuk bëjnë përjashtim as shkollat tjera, ZLM u ngarkua edhe me një barrë tjetër, atë të formimit të paraleleve shqipe të mjekësisë edhe atë në kushtet e mungesës totale për shkollim të profesional mjekësor. Kjo ngarkesë, që iu dha padrejtësisht ZLM-së nga Ministria e Arsimit dhe Qyteti i Shkupit, kuptohet të përmbajtur politikisht nga partia në pushtet, nuk është denoncuar asnjëherë më parë zyrtarisht nga drejtuesit e ZLM-së. Tani, është drejtori i ri, Sadiku, i cili deklaron se ato paralele duhen larguar nga ZLM-së, si rrugë e vetme për të synuar përmirësimin e suksesit të dijeve në ZLM-së.

“Objekti i ZLM-së, nuk mundet të pranojë të gjithë nxënësit dhe gjithë atë numër të madh paralelesh, të cilat u shtuan me hapjen e mjekësisë në kuadër të gjimnazit. Sipas mendimit tim, ato paralele duhet të largohen dhe të dërgohen në shkollën amë, atje ku e kanë vendin. Këtë e diktojnë kushtet dhe mungesa e hapësirave dhe laboratorëve për atë lloj shkollimi. Në ZLM nuk kemi laborator për drejtimet e farmacisë, nuk kemi kabinet ku duhet të mbajnë praktikën teknikët e dhëmbëve, kushtet janë shumë të dobëta edhe për paralelet e motrave medicinale. E gjithë kjo e rëndon punën e atyre paraleleve por edhe të gjimnazit në përgjithësi”, deklaron Sadiku, drejtori në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Në kohë e tanishme, sikurse vëren ai, kërkohet që shkollat të punojnë në kushte sa më moderne, kurse neve punojmë me kushte të shekullit XX.

KOMENTE