English

Maturantë. Formulari A2 plotësohet dhe në datat 6 dhe 7 gusht

Ministria e arsimit njofton të gjithë maturantët se është shtyrë dhe 2 ditë të tjera afati për plotësimin e formularit A2. Në njoftim thuhet:

"Të gjithë maturantët që nuk mundën të plotësojnë Formularin A2 në datën e caktuar për rrethin e tyre, do të lejohen ta plotësojnë atë në datat 6 dhe 7 gusht 2013.
Ata që kanë bërë pagesën jashtë afateve zyrtare, duhet të paraqiten në Drejtorinë ose Zyrën Arsimore me mandat pagesën, certifikatën e notave dhe letërnjoftimin (kartën e identitetit) për të plotësuar formularin."

Dita e djeshme i dha fund datave të përcaktuara nga MASH për plotësimin e këtij formulari. Por për shkaqe të ndryshme, në mënyrë që të mos penalizohen maturantët që nuk kanë mundur të hedhin preferencat e tyre për në universitet, janë vënë dy data në dispozicion. Ndërkaq, bëhet me dije se realizimi i plotë i konkurrimit në universitet bëhet vetëm në rast se secilit maturant i vjen në emailin e tij personal përgjigja që Formulari A2 është plotësuar me sukses.

Sa i takon shpalljes së fituesve, Agjencia Kombëtare e Provimeve bën me dije se rezultatet do të dalin në mesi e muajit shtator. Por, pas kësaj faze do të ketë edhe një plotësim të Formularit A3 për kuotat që do të mbeten të paplotësuara. Sipas të dhënave paraprake të AKPsë, plotësimi i Formularit A2 deri në fundjavë është plotësuar nga rreth 35 mijë maturantë, që janë bërë pjesë e garës për të fituar një të drejtë studimi në institucionet e arsimit të lartë. Pritet të jenë 40 mijë kandidatë që do të garojnë në universitetet publike të vendit nëpërmjet përzgjedhjes së 10 degëve në Formularin A.

KOMENTE