English

Si ti edukoni fëmijët me ngrënien e frutave dhe perimeve

Çfarë duhet të hanë fëmijët tanë? Më shumë qumësht dhe perime, apo të heqin dorë nga ushqimet gjysmë të gatshme që ndodhen në çdo qoshe rruge të qytetit ku jetojmë? Mësoni si të kultivoni tek fëmijët tuaj elementët e një edukate të mirë në ushqim, që të jenë të gatshëm për të përballuar sfidat e jetës.

Ekspertët e ushqimit flasin se një fëmijë duhet të konsumojë të paktën 5 fruta dhe perime gjatë ditës. Mund të duket një sasi e madhe, por në realitet do të thotë të konsumohet një sallatë jeshile dhe domate, pa harruar edhe perimet e freskëta dy herë në ditë, një frut në përfundim të drekës dhe një tjetër në orët e pasdites, duke u kujtuar edhe për lëngun e frutave çdo mëngjes.

Frutat dhe perimet luajnë një rol të rëndësishëm në ekuilibrin ushqyes të organizmit të fëmijës. Por edhe si një ushqim me pak kalori ato shërbejnë për të luftuar obezitetin (mbipeshën).

Si t'i mësojmë fëmijët me fruta dhe perime?

Nëse fëmija është i uritur në mes të dy vakteve mund ta mësoni të hajë një frutë, në vend të një çokollate, patatine, apo një copë torte.

E keni të vështirë të blini çdo ditë perime të freskëta? Ju mund ta zgjidhni shumë mirë duke përdorur kutitë me perime të konservuara, ose qeset e perimeve të ruajtura në frigorifer. Nga pikëpamja e ekuilibrit ushqyes janë të pranueshme dhe me vlera ushqimore.

Fëmija juaj thotë se nuk i pëlqejnë perimet? Pyeteni se cilat prej tyre nuk i ka shumë për zemër dhe propozojini të tjera, të gatuara në një mënyrë tjetër si pure, në furrë, të ziera, etj.

Fëmijëve nuk u pëlqen ajo që nuk e njohin. Shtojini kuriozitetin fëmijës suaj duke e marrë me vete në blerjet e perimeve në tregun e zarzavateve. Kështu ai do të njihet me perimet dhe do të shohë transformimet e tyre gjatë gatimit.

KOMENTE