Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim ambasadorin Ernst Reichel, i dërguar special i Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka njoftuar ambasadorin Reichel, i cili më herët ka shërbyer edhe si ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, për progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës.
Hoxhaj theksoi fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar si dhe avancimin e rrugës integruese evropiane të Kosovës.
Në këtë kontekst, ai e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e Gjermanisë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Hoxhaj shprehu mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin dhe mbështetjen e madhe që po jep Gjermania, në të gjitha aspektet.
Ministri i Jashtëm i Kosovës shprehu përkushtimin e Qeverisë edhe për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë, si një ndër partnerët kryesor strategjik të Republikës së Kosovës.
Ambasadori Ernst Reichel vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Gjermanisë për Kosovën, me theks të veçantë në proceset integruese.
Reichel po ashtu shprehu vullnetin e Qeverisë gjermane për thellimin e bashkëpunimit bilateral me Kosovën, në shumë fusha.
Ministri Hoxhaj dhe ambasadori Reichel biseduan edhe për dialogun për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në këtë aspekt, Hoxhaj theksoi se Beogradi duhet të përmbush në tërësi obligimet që dalin nga marrëveshja e arritur në Bruksel, duke e vlerësuar të rëndësisë së veçantë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në veri të Kosovës.
Ambasadori Ernst Reichel vlerësoi të arriturat në dialogun ndërmjet dy shteteve, duke shprehur angazhimin e Gjermanisë për të ndihmuar në zbatimin në tërësi të marrëveshjes.