Në zyrën e qeverisë, fotoja do jetë e Ismail Qemalit, kështu ka premtuar Rama kur të nisë qeverisjen në shtator të këtij viti.
Deputet është zgjedhur në Vlorë dhe Edi Rama duket se prej andej do e nisë mandatin e tij të parë në karrierën politike si Kryeministër. Pas 10 ditësh, reflektimi që u ka lënë në dispozicion ministrave të tij, shefi i ri i maxhorancës do të zhvillojë mbledhjen e parë me të gjithë kabinetin, në Plazhin e Vjetër të Vlorës ku ka nisur dhe aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje. Mbledhja do të mbahet më 21 gusht, në një nga hotelet e qytetit bregdetar.
Mbledhja e Kryeministrit të ardhshëm dhe ministrave të PS-së dhe LSI-së do të zgjasë 2 ditë. Burime të “Ora News” thanë se në qendër të mbledhjes do jetë programi i ri qeverisës PS-LSI, ku secili nga anëtarët e kabinetit do të njihet me shtyllat emergjente që do vihen në zbatim me marrjen në dorëzim të qeverisë. Data 20 gusht, ishte përcaktuar si kohë e lënë në dispozicion të ministrave të përzgjedhur, për të hartuar programin specifik të 100 ditëve të para të ekzekutivit të majtë dhe mësohet se gjatë këtyre ditëve ministrat kanë hartuar projektin e dikastereve që do drejtojnë. Në këtë pikë, rëndësi të veçantë marrin ndarjet e strukturave. Ky është takimi i parë i Kryeministrit të zgjedhur, Rama, me të gjithë anëtarët e kabinetit. Një ditë pasi publikoi emrat e rinj të qeverisë, ai priti në selinë rozë për afro një orë ministrat e rinj, por munguan ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.