English

Llogaritë e të pasurve në Shqipëri transferohen jashtë (VIDEO)

Sistemi bankar në Shqipëri në gjysmën e parë të këtij viti është përballur me një fenomen jo të zakontë janë shprehur burimet zyrtare.

Llogaritë bankare janë zbrazur dhe janë transferuar në llogaritë jashtë vendit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në valutë të individëve ranë nga 343,8 miliardë lekë, që ishin në tetor të 2012-ës, në 327,7 miliardë lekë, në fund të qershorit të këtij viti.

Shqipëria është përballur vetëm një herë me një situatë të tillë. Në fund të vitit 2008, kur depozitat e individëve në valutë ranë brenda pak muajsh me rreth 300 milionë dollarë. Por, në atë kohë, shkaku ishte paniku i përhapur nga kriza financiare, që nxiti individët të tërhiqnin kursimet e tyre.

Ndërsa këtë herë, arsyet duken të tjera. Ekspertë të sistemit bankar thonë për Top Channel se paratë e tërhequra nuk janë përdorur në tregun e brendshëm. Sipas tyre, kjo do të kishte bërë presion mbi kursin e këmbimit, duke dobësuar euron, çka nuk ka ndodhur.

Jo zyrtarisht, nga vetë bankat kanë dalë informacione se lëvizjet janë kryer nga depozitues të mëdhenj. Nën zë, madje, është folur edhe për zyrtarë të pushtetit që, të pasigurt për rezultatin e zgjedhjeve, kanë nxituar t’i fshehin kursimet e tyre jashtë.

Para pak kohësh, një organizatë me qendër në Uashington publikoi një raport, që tregonte se në 5 vjet, nga 2006 në 2010-ën, elita e korruptuar ka nxjerrë rreth 1,3 miliardë dollarë parà të pista me prejardhje nga krimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal.
1855

KOMENTE