Dhe një ditë më shumë në 21 gusht ashtu siç ka njoftuar ditë më parë kryeministri i sapozgjedhur që shumë shpejt pritet të marrë detyrën e tij të re, do të zhvillojë mbledhjen e parë në Vlorë me të gjithë kabinetin, vetëm pak metra larg dallgëve të detit, në plazhin e vjetër të Vlorës ku ka nisur dhe aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Burimet thonë se në qendër të mbledhjes do jetë programi i ri qeverisës PS-LSI, ku secili nga anëtarët e kabinetit do të njihet me shtyllat emergjente që do vihen në zbatim me marrjen në dorëzim të qeverisë.
Data 20 gusht, ishte përcaktuar si kohë e lënë në dispozicion të Ministrave të përzgjedhur, për të hartuar programin specifik të 100 ditëve të para të ekzekutivit të majtë dhe mësohet se gjatë këtyre ditëve Ministrat kanë hartuar projektin e diskastereve që do drejtojnë. Në këtë pikë, rëndësi të veçantë marrin ndarjet e strukturave.
Teme e nxehtë e mbledhjes duket se do jenë edhe punësimet në administratë, pasi Edi Rama ka këmbëngulur se rekrutimi i punonjësve në administratë të kryhet vetëm përmes konkurseve të forta.
Në mbledhjen e parë te Kryeministrit të ardhshem me Ministrat e rinj, jashtë diskutimeve nuk do të ngelet as kodi etik i Ministrave, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe që siç ka premtuar kryesocialisti bazohet në modelet më të shkëlqyera të mirëqeverisjes demokratike.
Ky është takimi i parë i kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, me të gjithë anëtarët e kabinetit. Një ditë pasi publikoi emrat e rinj të qeverisë, ai priti në selinë rozë për afro 1 orë Ministrat e rinj, por munguan ministrat e LSI.