English

Konflikt midis bashkisë dhe besimtarëve ortodoksë. Po rrezikohet harmonia fetare

Nënkryetari i Bashkisë së Përmetit, Vasil Pano, thotë se aktualisht situata është e qetë, ndërsa shtoi se Policia e Shtetit duhet të kishte ndërhyrë në mënyrë që konflikiti të mos përshkallëzohej. Ai kërkon që besimtarët ortodoksë dhe priftërinjtë të respektojnë vendimin e gjykatës dhe të mos përkeqësojnë situatën.

Në orët e mëngjesit policia private ka ndërhyrë sërish në objekti, që është kthyer në konflikt midis bashkisë dhe besimtarëve ortodoksë. Policia ka larguar objektet që u vendosën dje nga besimtarët dhe priftërinjtë.

Ndërsa dje, nisur nga paraditja, dy autobusë me besimtarë dhe priftërinj nga Gjirokastra hynë forcërisht në atë që ata e quajnë kisha e “Shën Maria e Pazarit”. Konflikti nisi për shkak të heqjs së kishës nga Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”. Konflikti u përshkallëzua dhe u shënuar edhe disa të plagosur.

Policia private ka plagosur dy besimtarë, të cilët po tentonin të hynin me dhunë në ambientet e kishës. U raportua se një polic privat ka goditur me thikë një besimtar në pjesën e poshtme të veshit.

Madje një prej policëve privatë ka hedhur sprajt me gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve. Më pas situata u tensionua dhe filluan konfrontimet fizike. Dëshmitarët thonë se, dy priftërinj dhe dy besimtarë janë parë të gjakosur.

Pallati i Kulturës

Pallati i Kulturës u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ku është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues. Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës, objekt i cili funksionoi si i tillë deri në 26 maj 1997 kur u shndërrua në kishë. Me një sipërfaqe prej 584 metra katrorë, “Nga e gjithë sipërfaqja mbi të cilën ngrihet Pallati i Kulturës prej 584 metra katrorë, vetëm 25 metra katrorë i takonin dikur truallit të Kishës së Përmetit. Kjo e vërtetë është ngritur mbi bazën e dokumentacionit autentik të siguruara në Arkivin Qendror teknik në Tiranë, të siguruara në Arkivin e Bashkisë së Përmetit dhe akt-ekspertiza e ekspertëve të caktuar nga gjyqësori dhe të pranuar si nga Bashkia, ashtu edhe nga kisha”, thekson për gazetën “Shekulli”, Kastriot Bezati, ish-drejtor i Qendrës së Kulturës në Bashkinë e Përmetit.

Ndërkohë Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut ka reaguar lidhur me incidentet në kishën e Përmetit. Përmes një deklarate për mediat, GSHDNJ ndërsa dënon dhunën e ushtruar nga punonjësit e përmbarimit ndaj komunitetit ortodoks, ndërsa kërkon që këto veprime të cilat synojnë goditjen e institucioneve fetare të komunitetit ortodoks duhet të ndërpriten, sepse mund të kenë pasoja të rënda për harmoninë fetare te shqiptarëve.
“GSHDNJ përcjell me shqetësim dhe indinjatë ngjarjen e disa ditëve më parë ku punonjës të Zyrës së Ekzekutimit të Vendimeve Gjyqësore (Përmbarimit) ushtruan forcë fizike, psikologjike dhe egërsi ndaj përfaqësuesve të kishës së Shën Marisë në Përmet.Ngjarja është e lidhur me veprimet e Përmbarimit për të kthyer ambjentet e Kishës së Shën Marisë në Përmet në shërbim të Bashkisë me destinacion Pallat të Kulturës, sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës. Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut e ka ndjekur prej disa vitesh konfliktin gjyqësor mes Kishës Ortodokse të rrethit të Përmetit dhe institucionit të Bashkisë Përmet dhe është në djeni të plotë të gjithë situatës që ka përfunduar me një vendim gjyqësor të diskutueshëm në favor të palës së Bashkisë.Ajo çka është në shqetësimin tonë është qëndrimi agresiv kundër Kishës Ortodokse i Zyrës Private të Përmbarimit Gjyqësor , përfaqësuesit e së cilës zbatuan vendimin duke dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht komunitetin ortodoks në zonën e Permetit dhe paralelisht edhe me gjerë edhe vetë ortodoksët e Shqipërisë. Prifti i Kishës është shtyrë dhe goditur, ndërsa shumë objekte të kultit janë nxjerrë jashtë forcërisht. Mënyra brutale fizike që punonjësit e përmbarimit ushtruan mbi shërbyesit e kishës, i ngjan kujtimeve të hidhura të luftës që bëri qeveria komuniste kundër fesë, duke rrënuar një nga të drejtat themelore të individit në Shqipëri. Ky akt nuk është vetëm një ekzekutim rutinë i një vendimi gjyqësor, por dëshmon haptazi një proçedurë tipike nën frymën e urrejtjes fetare për këtë komunitet.Ironikisht dhe jo rastësisht, dita e realizimit të këtyre akteve brutale ka përkuar me festen e Shën Marisë, shenjt i rëndësishëm për komunitetin kristian, emrin e të cilit mbante kjo kishë, çka tregon hapur mungesën e tolerancës fetare dhe dëshirën për të përdhosur vendin e shënjtë të tempullit fetar ortodoks në zonën e Përmetit.GSHDNJ kërkon që këto veprime, që synojnë goditjen e institucioneve fetare të komunitetit ortodoks duhet të ndërpriten sepse mund të kenë pasoja të rënda për harmoninë fetare te shqiptarëve” thuhet në deklaratë.
GSHDNJ kërkon që drejtuesit e Zyrës së Përmbarimit në Përmet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale për veprimet e kryera dhe të marrin masa për të mos përsëritur raste të tilla. “Ata duhet të udhëhiqen nga parime profesionale të cilat nuk lejojnë shkelje të të drejtave të individit dhe aq më shumë të respektit ndaj besimeve fetare”.

KOMENTE