Sali Berisha, kryeministri në detyrë, pak orë pas deklaratës së zëdhënëses së tij ka postuar në Facebook deklaratën e mbajtur për shtyp lidhur me konfliktin bashki-kishë në Përmet.
Por postimit në facebook i mungon paragrafi i fundit, ku ai cilëson të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke.
Deklarata e plotë e postuar në faqen zyrtare të kryeministrisë.
"Prej dy ditësh skena jo të denja janë regjistruar në Përmet. Përmbarimi privat ka ekzektutuar një vendim përfundimtar gjyqësor të vitit 2002, i cili i ka kthyer Bashkisë së qytetit të Përmetit një lokal që gjatë diktaturës ka qenë pallat kulture, por që sipas autoriteteve kishtare të vendit më parë ka qenë kishë dhe që prej vitit 1999 është kisha ortodokse e këtij qyteti.
Kryeministri vlerëson se zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit te shtetit ligjor por nga ana tjetër skenat e rrëmbimit të objekteve të shenjta nga përmbarimi privat gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor të 11 viteve më parë, rikthyen për shqiptarët pamje të kohës së barbarisë hoxhiste mbi institucionet e kultit.
Ky ishte një ofendim i rëndë për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë.
Kryeministri thekson gjithashtu se qëndrimet e djeshme të disa qytetarëve por dhe të ndonjë të kleriku ishin të gabuara.
Kryeministri vlerëson dialogun e sotëm midis autoriteteve të Bashkisë së Përmetit dhe atyre fetare dhe i ka kërkuar Kryetarit te Komitetit te Kulteve që së bashku me këto autoritete të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe propozimet respektive për një zgjidhje përfundimtare jashtë të gjitha abuziviteteve dhe praktikave të dënueshme ateiste.
Kryeministri konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke. Shqiperia ka të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për garantimin e shtetit të së drejtës, veprimtarisë normale të institucioneve të vendit dhe atyre të huaja si dhe për t’iu përgjigjur shkelësve të rendit dhe provokimeve të cdo lloj."
Në thelb deklarata e zëdhënëses dhe postimi i Berishës nuk ndryshon por nuk dihet aryesja e kësaj autocensure të Kryeministrit.