English

Bashkia e Tiranës, kredi të ulët për sipërmarrësit e rinj

Që prej ditës së sotme, çdo qytetar i Tiranës nga mosha 23 deri në 35 vjeç që kërkon të hapë apo zgjerojë biznesin e tij, mund të përfitojë nga fondi i garancive vënë në dispozicion për herë të parë nga Bashkia e Tiranës për të marrë një kredi.

Pas një gare mes bankave të nivelit të dytë që operojnë në qytetin e Tiranës, Bashkia ka përzgjedhur Bankën Kombëtare Tregtare, për hapjen e fondit të garancive, hapjen e mundësive të reja për kreditim, për qytetarët e rinj të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka nënshkruar sot marrëveshjen me drejtorin e BKT Seyhan Pencabligil. Fondi i garancive është një tjetër iniciativë e kryebashkiakut Basha, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe punësimin në qytetin e Tiranës.

“Ne po hedhim një hap të parë por shumë të rëndësishëm për të faktuar se edhe pushteti vendor nëse ka vullnet, ka mjete dhe mundësi për të ndihmuar në gjallërimin dhe forcimin e klimës pozitive të biznesit në Tiranë, ka mundësi të ndihmojë drejtpërdrejt në gjenerimin e bizneseve të reja që do të thotë vende të reja pune, që do të thotë mirëqenie e shtuar në qytet, që do të thotë më shumë shanse për të rinjtë e kryeqytetit. Këto kredi nëpërmjet garancisë së Bashkisë së Tiranës, garanci që ka një vlerë prej afro 1 milionë dollarësh jepen me interes pothuajse dy deri tre herë më të ulët se norma, në treg. Pra, në qoftë se në treg, kreditë në rastin e financimit të bizneseve të vogla apo të mesme, ekzistuese apo të reja variojnë nga 11 deri 15%, sipas kësaj marrëveshje, ata që do të përfitojnë, qytetarët nga mosha 23 deri 35 vjeç, banorë të qytetit të Tiranës do të paguajnë një normë interesi 5 deri 5.5%, kjo në varësi të faktorëve të riskut të biznesit që propozojnë të hapin apo që kanë të hapur dhe do të konsolidojnë” - u shpreh z. Basha.

Përfitues të fondit të garancive do të jenë biznese të vogla dhe të mesme të cilat konsiderohen dhe si gjeneratorë të punësimin në Bashkinë e Tiranës. Me prioritet do të përfitojnë bizneset e regjistruara në Bashkinë e Tiranës, 100 për qind sipërmarrës shqiptarë, biznese me sipërmarrëse femra, me sipërmarrës të rinj, projekte të teknologjisë dhe informacionit dhe me mundësi krijimi punësimi, përveç vetëpunësimit.

“Bëhet fjalë për kredi deri në masën 50 milionë lekë të vjetra, 5 milionë lekë të reja. Bëhet fjalë për disa kategori biznesesh, që përfshijnë tregtinë me pakicë e shumicë të materialeve e produkteve të ndryshme, përfshirë profesionet e ndryshme, marangoz, rrobaqepës, këpucar, të tjerë. Profesione si avokat, jurist, dentist, mjekë, kontabilistë, ekspert, dyqane veshmbathje, këpucësh, bar, restorant, internet kafe, kënde lojërash, biznese që operojnë në fushën e teknologjisë, informacionit, sipërmarrje artizanale, punime me dorë, dyqane lulesh, zbukurimesh, fusha sportive, njësi tregtare të shumëllojshme, njësi prodhimi të vogla. Me prioritet bizneset e regjistruara në Bashkinë e Tiranës, 100 për qind sipërmarrës shqiptarë, biznese me sipërmarrëse femra, me sipërmarrës të rinj, projekte të teknologjisë dhe informacionit, dhe me mundësi krijimi punësimi, përveç vetëpunësimit” - u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Drejtori i BKT u shpreh i bindur se ky bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, i pari i këtij lloji në Shqipëri do të shënojë një tjetër histori suksesi, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe punësimin në qytetin e Tiranës.

“Ndër gjithë këto biznese ato ndër të cilat kanë shumë më tepër rëndësi janë bizneset “start-up”, të cilat kanë nevojë të madhe për mbështetje. Dhe siç u tha ky program do të bëjë jo vetëm këtë mundësi financimi por me kushte shumë të mira, me kushte shumë preferenciale të interesit, që do të thotë që nuk po shikojmë përfitueshmërinë, por po shikojmë edhe në nivelin e përfitueshmërisë sociale, duke qenë që jemi një ndër bankat që kemi marrë pjesë në programet e ndryshme garancie. Edhe në këtë program premtojmë se do të kemi një histori tjetër suksesi dhe do të bëjmë ç’është e mundur që këto lekë, në fund të fundit kjo garanci të mos preket duke mbështetur fuqishëm zhvillimin ekonomik të qytetit të Tiranës” - u shpreh drejtori i BKT, z. Pencabligil

KOMENTE