English

Rama në Vlorë: Asnjë mik për vend pune. Detyrat janë tonat, pushteti i popullit

"Detyrat jane tonat, pushteti i popullit” nën këtë moto, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, ka mbyllur në Vlorë takimin dy ditor me të propozuarit e mazhorancës së re qeverisëse për kabinetin qeveritar. Mbledhja nisi rreth orës 10:00 dhe zgjati rreth 2 orë e gjysëm.

Më pas në cilësinë e deputetit të Vlorës, Rama vijoi takimet me kryetarët e komunave dhe kreun e bashkisë së Vlorë, Shpëtim Gjika, ku u ka kërkuar të mbyllin projektet për zhvillimin e zonës dhe të mos pretendojnë të fusin miq për vende pune.
“Mbyllni projektet për zhvillimin e zonave, shpjet nis puna. Mos pretendoni te fusni miq në vende pune. Çdo gjë do të kalojë nëpërmjet konkurseve shumë të forta”.

Mbledhja u zhvillua në një prej hoteleve pranë zonës së njohur si Uji i Ftohtë. Gjithçka u mbajt e fshehur nga mediat, pavarësisht pranisë së saj të madhe. “Shumë i mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore, paraqitja e planeve të ministrave dhe diskutimi i ideve në grup.” Kështu shkruan Rama në faqen e tij e tij zyrtare në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Twitter”, pas përfundimit të mbledhjes me anëtarët e kabinetit të tij në Vlorë. Pas 10 ditësh reflektimi që u la në dispozicion Ministrave të tij, shefi i ri i mazhorancës Edi Rama zhvilloi në orën 15:00 mbledhjen e parë me të gjithë kabinetin e tij, përfshirë edhe ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Burime nga takimi bëjnë të ditur se në seancën e parë të takimit dy ditor të qeverisë se re është diskutuar programi. Kanë qenë dy bashkëhartuesit e programit të 300 ditëve të para, Beqja e Haxhinasto që kanë folur në takim. Piketat e përbashkëta të qeverisjes dhe koordinimit të çdo dikasteri pritet të jenë produkti i takimit në qytetin e Vlorës, të kabinetit të ri qeveritar. Ministrat gjatë këtyre ditëve kanë hartuar projektin e dikastereve që do të drejtojnë, duke u fokusuar më shumë tek strukturat e reja që do të jenë si pasojë e ristrukturimit të institucioneve aktuale, por edhe të ministrive të reja që do të krijohen. Një nga temat që do të zërë edhe pjesën më të madhe, pritet të jetë punësimi në administratë, pasi Edi Rama ka këmbëngulur se rekrutimi i punonjësve në administratë të kryhet vetëm përmes konkurseve të forta. Ashtu sikurse ka paralajmëruar, kryeministri Edi Rama pritet që të diskutojë me ministrat e rinj edhe për “ Kodin Etik të Ministrave”, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe që siç ka premtuar kryesocialisti bazohet në modelet më të shkëlqyera të mirëqeverisjes demokratike. Qeveria e re e majtë e cila rikthehet në pushtet pas 8 vitesh, pritet që të përballet që në ditët e para me sfida të mëdha. Një nga detyrat në aspektin ekonomik do të jetë vendosja e borxhit nën kontroll.

KOMENTE