Një zyrtar i arsimit në Indonezi ka propozuar që vajzat duhet t’i nënshtrohen testeve të virgjërisë për t’u regjistruar në shkollë të mesme. Ideja e tij është kritikuar gjerësisht.
Shefi i arsimit në një qytet indonezian ka shkaktuar zemërim të madh në vend, të mërkurën, pasi që ka propozuar se vajzat duhet t’i nënshtrohen testeve të virgjërisë për t’u regjistruar në shkollë të mesme, ka raportuar agjencia franceze e lajmeve “AFP”.
Aktivistët e kanë akuzuar Muhammad Rasyidin për mbështetje të “dhunës seksuale kundër femrave”, pasi ai ka sugjeruar planin kontrovers pas arrestimit të gjashtë nxënësve të dyshuara për prostitucion.
“Nëse është e mundshme, testet e virgjërisë do të kryhen vitin e ardhshëm”, ka thënë Rasyid, drejtor i arsimit në Prabumulih të ishullit Sumatra. Testet do të ndikonin në regjistrimin e vajzave në shkollë të mesme në Indonezinë me shumicë myslimane, ku gjimnazistet janë 16-19 vjeçare.
“Ne do të përpiqemi ta përfshijmë këtë plan në buxhetin tonë për vitin 2014”, ka thënë drejtori i arsimit, duke shtuar se propozimi i tij duhet fillimisht të aprovohet nga prefekti i qytetit dhe nga parlamenti lokal.
“Ne do t’i bëjmë këto teste çdo vjet”, ka thënë Rasyid. Por, ai ka pranuar se mund të cenohen të drejtat e njeriut nëse femrat obligohen t’i nënshtrohen testeve të virgjërisë.
Propozimi i tij ka shkaktuar një zemëratë të menjëhershme në vend, teksa ministri indonezian i Arsimit, Mohammad Nuh, i ka prirë korit të kritikave kundër tij: “Nëse dëshirojmë t’i mbrojmë fëmijët nga ndikimet negative, ekzistojnë mënyra të tjera. Ky nuk është një propozim i zgjuar”.
“Testi i virgjërisë përbën një formë të dhunës seksuale kundër femrave”, ka shtuar Masruchah, zëvendësshef i Komisionit kombëtar kundër dhunës ndaj femrave, i cili, si shumë indonezianë, ka vetëm një emër. “Ai është degradues dhe diskriminues për femrat”, ka vlerësuar Masruchah.
Në kryeqytetin Xhakarta, Aris Merdeka Sirait nga Komisioni kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve, ka thënë se plani i Rasyidit është “i menduar vetëm për të bërë bujë”.
“Humbja e virgjërisë nuk vjen vetëm nga aktivitetet seksuale. Ajo mund të shkaktohet edhe nga sportet, nga problemet shëndetësore dhe nga shumë faktorë të tjerë”, ka thënë Sirat. “Ne e kundërshtojmë këtë plan”.
Sidoqoftë, propozimi duket i pagjasë për t’u miratuar, pasi zëvendësprefekti i qytetit, Ardiansyah Fikri, ka thënë se autoritetet lokale nuk e përkrahin atë. Por, ai ka bërë të ditur se po planifikohen programe të edukimit fetar dhe moral që njerëzit të dekurajohen për të mos e shprehur publikisht dashurinë në qytet. “Moraliteti i djemve dhe vajzave të reja ka dalë nga kontrolli”, ka shtuar ai.
Ndërsa Në kryeqytetin Xhakarta, Aris Merdeka Sirait i Komisionit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve, tha se plani ishte "për qëllime vetëm për popullaritet."
"Humbja e virgjërisë nuk është thjesht për shkak të aktiviteteve seksuale. Ajo mund të shkaktohet nga sportet apo problemet shëndetësore dhe shumë faktorë të tjerë," tha Sirait. "Ne fuqimisht e kundërshtojnë këtë lëvizje shumë e tepruar."
Në vitin 2010, ligjbërësit në provincën Jambi të Sumatrës gjithashtu kanë propozuar që vajzat adoleshente të detyrohen t’i nënshtrohen testeve të virgjërisë për t’u regjistruar në shkollë të mesme, por plani ishte hedhur poshtë pas kundërshtimeve nga qeveria qendrore e Indonezisë.
Indonezia, një vend i më shumë se 240 milionë banorëve, po përballet me vështirësi për të balancuar modernizimin e shpejtë të vendit me vlerat tradicionale dhe kryesisht myslimane.