Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
Ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Jacobson kanë biseduar për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimeve të gjithanshme me SHBA-të, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.
Po ashtu është biseduar për përgatitjet që janë duke u bërë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ku është konsideruar se pjesëmarrja e gjerë është në interesin të gjithëve.
Ministri Hoxhaj ka thënë se angazhimi i gjithëmbarshëm dhe konstruktiv është esencial për të pasur zgjedhje të suksesshme.
Hoxhaj dhe Jacobson kanë biseduar edhe për progresin e Kosovës, për avancimin e procesit të njohjeve dhe të anëtarësimit në organizatat rajonale, evropiane e ndërkombëtare.
Me këtë rast, ambasadorja Jacobson ka shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, ministri Hoxhaj, ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e madhe që kanë dhënë SHBA-të në vazhdimësi.