Ornela Manjani - Me anë të një urdhri të veçantë Ministria e Transporteve ka përcaktuar kriteret dhe programet për përgatitjen teoriko-praktike të kandidatëve, si dhe dhënien e dëshmisë së aftësisë profesionale për përdoruesit e makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke, si dhe disiplinimi i përdorimit të makinerive të ndërtimit.
Ndryshimet kryesore janë vendosja e afateve dhe përcaktimi i peshës sipas kategorisë së lejes së drejtimit. Për 3 vitet e para, nga data e marrjes së lejes së drejtimit të kategorisë “A”, nuk lejohet drejtimi i motoçikletave me ose pa kosh, me fuqi më të madhe se 25 kubikë dhe/ose me raportin fuqi/peshë më të madhe se 0.16 kw/ kg, referuar masës pa ngarkesë. Për 3 vitet e para nga data e marrjes së lejes së drejtimit të kategorisë “A”, nuk lejohet tejkalimi i shpejtësisë sipas nenit 140 të Kodit Rrugor. Urdhri ka hyrë në fyqi dy ditë më parë dhe, sipas rregullores së re, individë, të cilët kërkojnë të pajisen me dëshminë e aftësisë profesionale, për përdoruesit e makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke, do t’i nënshtrohen kurseve teorike e praktike si dhe organizimin e komisionit të marrjes në provim. Për pajisen me dëshminë e aftësisë profesionale (DAP) duhet të paraqiten dokumentet që provojnë se personi zotëron njohuri të mjaftueshme teoriko-praktike për përdorimin e makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke, ku hyjnë të gjitha makineritë teknologjike, të cilat janë makina vetëlëvizëse ose që tërhiqen, me rrota ose me zinxhirë.
Kursi
Kohëzgjatja e kurseve për përgatitjen teoriko-praktike në autoshkollë përcaktohet nga lloji i lejes së drejtimit, në mbështetje të aktevenënligjore, të nxjerra nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor. Për përgatitjen e plotë, teorike dhe praktike, të kandidatëve, subjektet që organizojnë autoshkollat duhet të realizojnë programet e teorisë dhe të praktikës, të hartuara dhe të miratuara nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor. Regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi bëhet nga vetë autoshkolla, e cila regjistron personat e interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi me banim në juridiksionin e rrethit, për të cilën është licencuar, si dhe studentët me qëndrim të përkohshëm, brenda këtij juridiksioni. Gjithashtu, mund të regjistrohen edhe persona me banim jashtë juridiksionit të licencës në mungesë totale aktiviteti ose kategorie të veçanta, aktivitetit për autoshkollë nga rrethe apo drejtori të tjera rajonale, kur kjo është e konfirmuar.
Lejet e drejtimit
Kategoria “A” përfshin motoçikletat me ose pa kosh, me cilindratë jo më pak se 250 cm3. Ndërsa leja e drejtimit të kategorisë “B” jepet për automjetet e kategorisë “B”, me peshë maksimale deri në 3.500 kg ose automjet për transport personash, deri në (8+1) vende, i cili duhet të realizojë një shpejtësi mbi 100 km/orë. Sipas ligjit, në kategorinë “BE” përfshihet drejtimi i automjetit të përshtatshëm për provën e kategorisë “B”, e kombinuar me një rimorkio, me peshë maksimale të autorizuar 1.000 kg, bashkimi i të cilave nuk hyn në kategorinë “B” dhe që duhet të realizojë një shpejtësi mbi 100 km/orë. Patenta për kategorinë “C” jepet për të drejtuar një mjet rrugor të kategorisë “C”, me masë maksimale të autorizuar prej të paktën 12.000 kg, me gjatësi prej të paktën 8 m, me gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe me shpejtësi prej të paktën 80 km/orë, e pajisur me frena kundër bllokimit (ABS), e pajisur me kuti shpejtësie që ka të paktën 8 (tetë) raporte marshe përpara dhe pajisjen e regjistrimit të kohës dhe shpejtësisë (tahograf). Mjeti rrugor në procesin e përgatitjes dhe të provave praktike duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 10.000 kg.
KRITERET
Përgatitja e kandidatëve
a) Fillimisht në fushë, rrugë e mjedise ku nuk ka lëvizje, për të marrë më parë reflekset e nevojshme, pastaj në rrugë e mjedise ku nuk ka lëvizje të dendura b) Në rrugë jashtë qyteteve e qendrave të banuara, ditën dhe natën c) Në rrugë, brenda qyteteve dhe me dendësi të madhe lëvizjeje, ditën dhe natën.
Dokumentet
Personat, që duan të regjistrohen në autoshkollë, paraqesin pranë saj dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën për kategorinë e lejes së drejtimit që do të përgatitet
b) Certifikatën mjekësore që vërteton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor
c) Lejen e drejtimit të aftësisë së klasës të mëparshme (në qoftë se ka)
ç) Përpara fillimit të autoshkollës, ndërmjet palëve lidhet kontrata, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat
e secilës palë”.