Edhe pak ditë nga skadimi i afatit të lënë nga Qeveria greke për kalimin e kufirit nga fëmijët shqiptare të lindur në Greqi, për shkak të toponimeve në pasaportën biometrike, institucioni i Avokatit të Popullit i kërkon Ministrisë së Brendshme të marrë përgjegjësitë dhe të zgjidhet menjëherë problemi, koston e të cilit po e paguajnë qytetarët shqiptarë.
Sipas ekspertëve të Avokatit të Popullit Andi Bala, e gjithë përgjegjësia bie mbi Drejtorine e Pergjithshme të Gjendjeve Civile dhe Ministrinë e Brendshme, raporton Top Channel.
"Ka ardhur koha që në mënyrë të qartë dhe të plotë të thuhet që problematika ekziston, të tregohet për çfarë shkaqesh kemi ardhur në këtë pikë dhe kur do të zgjidhet. Nëqoftëse kjo problematikë ka ardhur si pasojë e gabimeve të organeve të shtetit shqiptar, atëherë nuk ka përse t'i transferohet qytetarit, por duhet ta marrin përsipër institucionet shqiptare që të rregullojnë gabimet e tyre", thotë Bala.
Ndonëse ka dërguar rekomandimet e tij për zgjidhjen e problemit të lindur me pasaportat biometrike ekspertët thonë se nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet përkatese.Ndërkohë që në pasaportat e shtetasve shqiptarë janë bërë gabime të shumta për sa i përket ngatërrimit të gërmës 'ë' dhe 'ç'.
"Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjeve Civile nuk i janë përgjigjur shkresave tona dhe rekomandimit tonë lidhur me shkeljet që kemi konstatuar ne gjatë verifikimit të elementëve të dokumenteve të udhëtimit të shtetasve shqiptarë. Kjo çështje duhet të trajtohet me transparencë dhe seriozitet nga administrata e shtetit shqiptar, në përputhje me rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare. Përfaqësuesi i shtetit grek ka depozituar në Ministrinë e Punëve të Jashtme emërtimet e lokaliteve greke përmes një note verbale që në muajin qershor të vitit 2011 dhe shteti shqiptar nuk ka shprehur asnjë pretendim apo kundërshtim ndaj kësaj note verbale", u shpreh ndihmëskomisioneri i Avokatit të Popullit, Erind Pirani.
Sipas ekspertëve të Avokatit, çështja e toponimeve në pasaportat biometrike te emigranteve shqiptare duhet zgjidhur njehere e mire, pasi kjo nuk mund lihet ne dore te bisedimeve siç eshte vepruar deri me tani.