Javën e ardhshme, Bashkia e Tiranës do të përzgjedhë kompaninë e cila do të ndërtojë bulevardin e ri të Tiranës. 4 kompani prestigjoze ndërkombëtare nga Evropa dhe Lindja e Mesme paraqitën ofertat financiare si dhe dokumentacionin përkatës, për të realizuar këtë projekt strategjik, më i rëndësishmi i realizuar në 70 vitet e fundit në kryeqytet. Ky projekt i lançuar për herë të parë nga kryebashkiaku Basha gjatë fushatës elektorale të vitit 2011, nis të shndërrohet në realitet, rreth 2 vjet pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Tiranës.
Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë dhe institucione të tjera publike, disa institucione kulturore dhe artistike, qendra biznesi etj. Ndërtimi i bulevardit të ri do të shtojë mbi 150 mijë metra katrorë gjelbërim, përgjatë aksit të tij, ose afërsisht 5 herë më shumë se parku “Rinia“.
Zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës. Zona urbane që ndikohet nga ky projekt është 14 km2. Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë urbanizimin me standarde bashkëkohore të 1/5 së qytetit të Tiranës dhe ndërtimin e një poli të ri zhvillimi në kryeqytet.
Krahas zhvillimit ekonomik të zonës, krijimit të vendeve të reja të punës gjatë zbatimit të projektit dhe zhvillimit të projekteve të reja përgjatë këtij korridori, ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke e vendosur Tiranën në trajektoren e zhvillimit të një qyteti modern evropian, ku punohet dhe jetohet më mirë.
Projekti që do të zbatohet për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës u hartua nga studio arkitekturore britanike “Grimshaw Architects”. Ajo është përzgjedhur nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar, ku morën pjesë 7 nga studiot më prestigjioze të planifikimit urban dhe arkitekturës, si studio DAR Group Turkey & United Kingdom, West 8 - The Netherlands, Albert Speer & Partners - Germany, Cino Zucchi Architetti - Italy, Gerkan, Marg & Partners - Germany, Kees Christianse & Partners - The Netherlands, Grimshaw Architects - United Kingdom.
Përzgjedhja e studios britanike u bë nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga personalitete me famë botërore në këtë fushë si z. Daniel Libeskind, Dr.Sarah Whitting, Dr. Philip Road, Giles Robin Dolphin si dhe ekspertët më të mirë të fushës në Shqipëri.