Duke nisur nga dita e sotme, çdo i ri, biznese juridike dhe persona juridikë të liçencuar dhe ata të paliçencuar mund të paraqiten pranë degëve të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), për të aplikuar për kredi, me garancinë e Bashkisë së Tiranës. Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik, Ilir Dervishi ka bërë të ditur se aplikuesi duhet të jetë patjetër banor i Tiranës. Interesat e kredive, me garancinë e Bashkisë së Tiranës, të cilat aplikohen për herë të parë variojnë nga 5 në 5.5%.
“Në momentin që personat paraqiten pranë zyrave të BKT ose mund të sjellin një kërkesë në Bashkinë e Tiranës e cila referon personat përgjegjës, të kalojnë për të aplikuar më tej në BKT, duhet që minimumi për bizneset ekzistues, të kenë dy vjet operim në qytetin e Tiranës dhe të kenë një vazhdimësi të pagesave të taksave, të mos ketë kredi të këqija etj, ndërsa për bizneset e reja, çdo gjë fillon nga e para. Ato mund të licencohen, pasi të licencohen mund të aplikojnë në BKT ose të sjellin edhe një kërkesë që Bashkia ta ndihmojë. Do ngrihet edhe një komitet i kredisë që është i përbashkët midis BKT dhe Bashkisë së Tiranës. Kush është risia e këtij programi? Është për bizneset e paliçencuara të cilat mund të aplikojnë pranë BKT por deri në momentin e aprovimit të kredisë, mund të ndjekin të gjithë procedurat e nevojshme dhe pasi të jetë aprovuar kredia, nuk mund të disbursohet kredia në rast se ato nuk liçencohen ose regjistrohen pranë zyrave tona të Tatimeve dhe QKL. Kredia zgjat 36 muaj, nga momenti i disbursimit, çka do të thotë që çdo muaj do të paguhet kësti dhe ka një përqindje prej rreth 5 %, në varësi të kolateralit ose biznesit apo individit që ka përballë dhe në momentin që këta persona nuk mund të paguajnë dot kredinë, banka ka mënyrat e veta“ - u shpreh z. Dervishi.
Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik ka bërë të ditur dhe bizneset që përfitojnë nga fondi i garancive. Me prioritet do trajtohen ato që hapin vende pune dhe sipërmarrëset femra.
“Llojet e biznesit janë të shumtë, ato mund të fillojnë që nga tregtia me shumicë dhe pakicë, dyqane të ndryshme, bare, restorante, kafe interneti, fusha sportive, kënde lojrash, markete ushqimore, biznese të teknologjisë së informacionit etj“ – deklaroi z. Dervishi.
Përmes fondit të garancive, Bashkia e Tiranës synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe punësimin si dhe fuqizimin e të rinjve.
“Programi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës 2011-2015 synon në radhë të parë fuqizimin e ekonomisë së qytetit të Tiranës, fuqizimin e ekonomisë për bizneset e reja, fuqizimin e rinisë që të rrisë si të punësuarit, ashtu edhe të vetëpunësuarit. Risia e këtij fondi garancie është se përveç faktit që ne mund të kreditojmë biznese që kanë nevojë, që kanë disa vite në treg, do të kreditojmë edhe bizneset e reja dhe bizneset e paformalizuara, por edhe njëherë e përsëris, me kushtin që në momentin që ka kaluar të gjithë etapat tek banka. Paratë nuk mund të disbursohen, në qoftë se personi fizik a juridik, apo qytetari i Tiranës nuk regjistrohet në QKR dhe Tatimet e Tiranës” - theksoi drejtori i Planifikimit Strategjik, z. Ilir Dervishi.
Bashkia e Tiranës, në buxhetin e vitit 2013 akordoi një fond të veçantë prej 1 milionë dollarësh, si garanci për kreditimin e bizneseve të reja. Nga ky projekt pritet të përfitojnë rreth 400 biznese, për rreth dy vite.