English

Vitet 70-të. Objekti i dëshiruar nëpër zyra ishin sekretaret, madje deri në seks dhe si bashkëshorte

Zyrat e kohës së pasluftës kanë qenë shpesh mbretëritë e seksit, por ato kanë qenë gjithashtu vende ku agresioni seksual ishte në nivele të tmerrshme”, thotë Lucy Kellaway në një raport special për BBC

Çdokush që ka parë serinë “Burra të çmendur” (Mad Men) e di se në vitet 1950 dhe 1960 nëpër zyra ndodhte sasia më e madhe e gallatës së shënuar ndonjëherë. Pije, cigare, rroba, Reçipetat e jashtëzakonshme me majë dhe mbi të gjitha, seks.
Po të krahasosh atë kohë me zyrat që ka bota sot, vërehet se nuk ka pije alkoolike dhe ka shumë më pak flirt. Një ditë, kur kolegu im më tha mua se i pëlqente bluza ime, menjëherë kërkoi ndjesë për faktin që e hapi këtë diskutim.
Në vitet e fundit të 60-ës, qëndrimi ynë ndaj seksit në punë ka lëvizur nga mohimi te kënaqësia, te mosaprovimi dhe te moslejimi,
Sjellja mbizotëruese ka ndryshuar kaq shpesh, sa është e vështirë ta ndjekësh.

Por si ndodhi që ne u bëmë kaq të çorientuar?

Qeniet njerëzore kanë qenë gjithmonë të prirura për të krijuar një mjedis sjelljeje të keqe. Por kur gratë mbërritën në zyra, mundësitë për sjellje të paedukatë arritën në një nivel të paparë.

Dhe objekti i dëshiruar? Natyrisht ishte sekretarja.
Në fillim të shekullit të njëzetë, sekretarja është bërë një arketip kulturor. Vajzat shpesh dëshironin të bëheshin sekretare kur të rriteshin. Djemtë dëshironin të martoheshin me një të tillë.

Kandidatja ideale ishte dikush që mund të bënte rolin e “bashkëshortes në zyrë”, duke kryer të gjitha detyrat në zyrë që bashkëshortja i bënte në shtëpi.
Manualet e hershme të aftësive të nevojshme për të punuar si sekretare janë shumë të ngjashme me guidat për një martesë të suksesshme.
“Mëso preferencat e tij dhe bindu ndaj tyre edhe në rast se ti nuk je dakord gjithmonë me idetë apo metodat e tij. Në mënyrë natyrore një mashkull kërkon që të gjitha dëshirat e tij të plotësohen, e kush nuk do? Supozo që ai ka gjithmonë të drejtë.”
Puna ishte e komplikuar. Sekretaret duhej të menaxhonin jo vetëm shefat e tyre, por edhe bashkëshortet e shefave.
“Pati një tension real mes bashkëshortes xheloze dhe sekretares që mendon se bashkëshortja po shpenzon të gjitha paratë e shefit”, thotë Julie Berebitsky, autore e librit “Seksi dhe zyra”.
“‘Bashkëshortja’ e zyrës duhej të blinte dhurata ditëlindjeje për bashkëshorten e shtëpisë. Pyetja e vërtetë ishte, cila bën më shumë për këtë burrë, gruaja në zyrë apo gruaja në shtëpi?”
Por nuk ndodhte gjithmonë që meshkujt bënin peshkaqenin për sekretaret, ndodhte që gjuetia të ishte edhe në krahun e kundërt.
Një sekretare në Nju Jork, në mes të viteve 1930, ishte shumë e etur të merrte një puthje nga shefi i saj. “Në disa raste, në punën time, ndërsa mbaj shënim fjalët e tij, terma të caktuar i lidh me seksin dhe kjo më bën të skuqem”, shkroi ajo.
“Terma të tillë si ‘mbajtja e topit’ më eksitojnë. Shefi im ka një farë interesi tek unë, mua më shijojnë puthjet e tij, por ai nuk vjen kurrë pranë meje.”
Edhe nëse vetë Don Draper (personazh i serisë televizive “Burra të çmendur”) ishte personi që po diktonte, unë e kam të vështirë të shoh se si mbajtja e topit mund të jetë në ndonjë farë mënyre eksituese.
Megjithatë, edhe pa ndihmën e topave të çelikut, lidhjet ndodhnin. Dhe në disa raste, përfundonin në mënyrë shumë të keqe.
Connie Nicholas ishte një sekretare në “Eli Lilly” në Indiana në vitet 1940. Ajo pati një marrëdhënie të gjatë dhe të stuhishme me shefin e saj, marrëdhënie që përfundoi kur ai e braktisi atë për t’u lidhur me një sekretare tjetër, më të re.
Nicholas nuk ishte shumë e lumtur. Në fakt ajo ishte aq e palumtur sa e qëlloi atë tri herë, hipi në makinën e kompanisë së tij – një “Kadillak” i bardhë – dhe u largua. Ajo tentoi pa sukses të vrasë veten dhe përfundoi në burg.
Si atëherë, edhe tani, kompanitë nuk e kuptojnë siç duhet situatën. Atëherë u vendos se problemi i vërtetë nuk lidhej me seksin, por me makinat – rrjedhimisht u vendos që në kompaninë “Eli Lilly” të mos mbaheshin më makina “Kadillak” të bardha. Të gjithë drejtorët u detyruan të shesin makinat e tyre ose t’i lyejnë ato.
Në vitet 1950 dhe 1960, gjërat filluan të ndryshonin. Pengesa e martesës – pra një ndalim pothuajse de facto i grave për të punuar pasi martoheshin, që kishte ekzistuar më parë – filloi të thyhej dhe bashkë me të, u hap mundësia për një karrierë të vërtetë.
Në industri të tilla si reklamat dhe publikimet, gratë filluan të avancojnë përtej pozicionit të sekretares. Rona Jaffe përshkruan në romanin e saj autobiografik “Më e mira e gjithçkaje”, se si ishte të punoje në sektorin e publikimeve në Nju Jork vonë në vitet 1950.
Një pije “Martini” ishte me detyrim në orën pesë pas dreke ashtu siç qenë edhe dilemat e përjetshme – kur shefi yt vendos dorën e tij te kofsha jote a duhet të buzëqeshësh ëmbëlsisht dhe të lutesh se do të kalojë, apo e detyron të ngrejë dorën në ijë?
Helen Gurley Brown, e cila më vonë u bë redaktore te revista “Cosmopolitan”, e dinte përgjigjen për këtë pyetje.
“Duhet ta keni parasysh, unë nuk mendoj se është e gabuar të përdorësh joshjen tënde seksuale dhe feminitetin për të ecur përpara në një vend pune. Në fakt, unë nuk mund të mendoj për ndonjë mënyrë më të mirë”, tha ajo.
Ajo pati ecur përpara përmes 17 vendeve të ndryshme pune si sekretare dhe në fund u bë shkruese tekstesh reklamash (copywriter) në Avenunë Madison, puna më e mirëpaguar në sektorin e marketingut.
Këshilla e saj për gratë: “Ti arrin te një burrë duke e trajtuar marrëdhënien me të në nivelin e tij profesional, pastaj qëndron vërdallë për ta joshur dhe peshkuar seksualisht.”
Libri i parë i Gurley Brown, “Seksi dhe vajzat beqare”, shiti 2 milionë kopje në tri javët e para. Më 1962-shin, njerëzit e dashuronin dhe e urrenin atë, por nëse e lexon këtë libër 50 vjet më pas, vëren se ai ende nuk e ka humbur fuqinë për të të tronditur.
“Menaxherët që mendojnë se romancat ulin sasinë e punës e kanë shumë gabim”, shkroi ajo. “Një vajzë në dashuri me shefin e vet do të dalë në punë shtatë ditë në javë dhe do të dëshirojë të kishte më shumë ditë. E vështirë për të, por e mrekullueshme për biznesin.”
Por tani që e mendoj më gjatë këtë, një redaktor gazete më tha të njëjtën gjë jo shumë kohë më parë. Ai është shumë i lumtur që stafi të ketë histori dashurie, sepse përshtypja e tij ishte që ata punojnë më shumë.
Nga vitet 1970, lëvizja për të drejtat e grave po ngrihej. Më 1977-n, një grup grash organizuan një garë mes sekretareve për të zbuluar porosinë më poshtëruese personale që i patën kërkuar shefat e tyre.
Finalistët e garës dhanë përgjigje të tilla: transportimi i pajisjeve të zyrave të vjedhura drejt shtëpisë së tij, fotografimin e shefit para, gjatë dhe pas rruarjes së mustaqeve apo marrja e bashkëshortes së tij dhe foshnjës nga materniteti për ta dërguar në shtëpi.
Por në këtë kohë gratë kishin filluar të bënin punë të barabarta dhe sjellja e pabarabartë po bëhej e papranueshme. Në një çështje gjyqësore në Nju Jork më 1975-n, termi “agresion seksual” u dëgjua për herë të parë – ndukja e fundshpinës dhe komentet epshore do të dëgjoheshin më vonë.
U shkruan ligje që i bënë agresionet seksuale në zyrë ilegale, ndërsa kompanitë u përgjigjën me kontratat e dashurisë – deklarata solemne të firmosura nga punonjësit, ku përcaktohej se me kë mund të dilnin për një takim dashurie dhe me kë nuk mundej.
Askush nuk e vuri re këtë lloj ndryshimi.
Megjithatë, ky është një rrugëtim i gjatë që nga koha e zyrave ku punoi Gurley Brown, për të cilat ajo tha se “ishin më seksuale sesa edhe haremet turke, shtëpi vëllazërish nëpër fundjava apo qendra djemsh maço”.
Unë tashmë jam një nga tri gratë në bordin drejtues të një kompanie sigurimesh dhe mund t’ju siguroj se një mjedis më pak seksual se ky është vështirë të gjendet.
Megjithatë ka një obsesion të vazhdueshëm me idenë e grave drejtuese që shfrytëzojnë seksualisht djem të rinj. Ka shumë shembuj në botën e letërsisë dhe artit. Por a ka shembuj nga jeta reale? Deri tani, zero.
Por ky është edhe problemi me seksin dhe zyrat. Për sa kohë sekretarja e braktisur nuk i fut një plumb kokës shefit të vet – apo përdor postën elektronike të kompanisë – ngjarja nuk bëhet kurrë publike.
Lucy Kellaway është shkrimtare dhe kolumniste te “Financial Times”

Kartolinë nga vitet 1940
Si një grua zyre ti i arrin të gjitha
Ti grindesh, nervozohesh dhe shan
Por pas pesë vjetësh ti je krejtësisht vetëm
Një rehati e paktë kur plakesh

Romanca të famshme të zyrave
Bill dhe Melinda Gates – Melinda French u bashkua me “Microsoft” më 1986-n. Ajo u takua me Gates në një ngjarje mediatike më 1987-n dhe ata u martuan më 1994-n.
Barack dhe Michelle Obama – Michelle Robinson ishte mentorja e Presidentit aktual kur ajo ishte në praktikë pune në një kompani ligjore në Çikago më 1989-n. Ata u martuan më 1992-shin.
Bill Clinton dhe Monica Lewinsky – Ish-presidenti u përball me akuza më 1998-n pas “marrëdhënies së papërshtatshme fizike” në Shtëpinë e Bardhë me praktikanten Lewinsky.
John Major dhe Edwina Currie – Ish-kryeministri konservator i martuar pati një marrëdhënie katërvjeçare me studenten Currie nga 1984-a deri më 1988-n.

Gratë sekretare dhe poligamia

“Një sekretare ofron të vetmen lloj poligamie që ne pranojmë në këtë vend, shansin për të pasur një grua të dytë dhe në të njëjtën kohë të mos përfundosh në burg. Nëse e zgjedh atë me kujdes, ajo mund të jetë më e dashur me të gjitha përfitimet e mundshme. Dhe imagjino, është kompania që e paguan atë, jo ti!”

KOMENTE