"Kabineti i ri i kryeministrit do të ndryshojë thellësisht. Numri i madh deri më sot i këshilltarëve do t'ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes. Njëri prej tyre do të jetë edhe një intelektual i mirënjohur e i mosvarur, që do të vijë nga Prishtina, për të ndihmuar në jetësimin e rolit që parasheh për Shqipërinë në rajon programi ynë i Rilindjes - Shkelzen Maliqi.
Ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar. Marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t'i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkelzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik."
Edi Rama ka postuar këtë mesazh, në faqen e tij sociale Facebook, ku njofton se Shkelzen Maliqi do të jetë këshilltari i ardhshëm i tij për marrëdhëniet me Kosovën.