English

Flamuri i PD-së ngrihet te godina e SHQUP-it. Mbërrijnë dhe pronarët e truallit nga Miçigani

Pas vendimit të dhënë që godina e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, do të kthehet në selinë e Partisë Demokratike, kanë filluar dhe përgatitjet e para, madje që sot herët në mëngjes punonjës të bashkisë kanë vendosur flamurin e Partisë Demokratike, por ndërkohë mbërrijnë nga Miçigani dhe pronarët e truallit të kësaj godine.

Drejtuesit e lartë organizativ të Partisë Demokratike janë kujdesur që puna të mos niste pa vendosur flamurin e PD-së. Në orën 08:10 u valëvit flamuri blu i Partisë Demokratike, në krah të flamurit shqiptar, atij të NATO-s dhe atij të BE-së. Ambienti është vizituar disa herë nga Sekretari Organizativ i PD-së, Flamur Noka, i cili është futur disa herë në mjediset e reja të selisë duke inspektuar punimet e brendshme që më së shumti kanë të bëjnë më lyerje apo vendosjen e mobilieve të zyrave. Në mesditë një grup të rinjsh të Forumit Rinor Demokrat kanë shkuar tek zyrat e tyre të reja të cilat do të jenë në krahun e djathtë, ndërsa në krahun e majtë pritet që të jetë zyra e shtypit. Ende nuk dihet se cila do të jetë zyra e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe e ish-kryetarit të saj, Sali Berisha.

Thuhet se berisha ka kërkuar që zyra e tij të jetë me pamje nga Lumi Lana. Puna ka tërhequr edhe vëmendjen e qytetarëve të shumtë të cilët janë mësuar që të shihnin ushtarakë dhe punonjësit e stafit. Një pjesë e kureshtarëve kanë qenë edhe ishpunonjësit, të cilët janë të frikësuar për të ardhmen e tyre. Disa prej tyre deklarojnë se do të paguhen gjer në datën 22 shtator, ndërsa ende nuk u është thënë se çfarë do të bëhet më pas me ta. Shumë prej tyre kanë mëse 20 vjet që kanë shërbyer në këtë godinë. Shpresa e vetme për ta mbetet që të rifillojnë punë në godinën e re te ish Shtëpia e Oficerëve. Por, sa më shumë kalon koha, aq më shumë venitet shpresa për të rifilluar punë në godinën e re pranë Ministrisë së Jashtme, aty ku dikur ka qenë Shtëpia e Oficerëve apo i njohur si hoteli i ushtarakëve, pasi rikonstruksioni i nisur rreth dy vjet më parë ende nuk ka përfunduar. Në fillim të javës tjetër zyrtarët e PD-së do të zhvendosen në selinë e re dhe procesi i transferimit do të mbyllet brenda pak ditësh. Edhe pse zyrtarët e PD-së shprehen se godina ka nevojë për një rikostruksion më të thellë për ta përshtatur në seli të PD-së, kjo nuk i ka penguar ata që të fillojnë që tani të projektojnë edhe zyrat. Urdhri nga drejtuesit e PD-së për punonjësit e Bashkisë së Tiranës që është brenda datës 6 shtator të përfundojnë të gjithë restaurimin e nevojshëm.

I gjithë ky nxitim i PD-së për të hyrë në selinë e re duket se ka lidhje me mbledhjen e parlamentit të ri më 9 shtator dhe konstituimin e mazhorancës së re e cila është shprehur kundër kalimit të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të Partisë Demokratike.

Prej disa ditësh kanë ardhur nga Miçigani dhe pronarët e truallit të SHQUP-it, e cila tashmë është kthyer në seli të Partisë Demokratike. Rreth orës 11:00 pranë ish-Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dje janë parë edhe pronarët me pasaportë amerikane të këtij trualli. Pavarësisht se për momentin godina e SHQUP-it është e ligjëruar si godina e re PD-së, ku kanë nisur punimet e para përfshirë vendosjen e flamurit të opozitës së ardhshme, për Edward Toptanin njërin prej dy pronarët e kësaj godine përpjekjet për rikthimin e kësaj prone do të vijojnë pa asnjë kompromis.“Unë erdha në Shqipëri për t’i thënë qeverisë shqiptare se kjo ndërtesë është e njohur si pronë e trashëguar e familjes time. Kam patur mundësinë të flas me shumë njerëz nga qeveria dhe më është thënë se ata e njohin këtë ndërtesë si pronën time, por nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë veprim për të na e kthyer. Jam tepër i zhgënjyer pasi nga të dy krahët e politikës shqiptare privatisht më kanë inkurajuar të vijoj përpjekjet e mija në rikthimin e kësaj prone. Por nga ana tjetër po ashtu më është thënë se ata nuk e kanë vullnetin politik për tu deklaruar publikisht se kjo pronë duhet të kthehet. Jam duke përjetuar po të njëjtën eksperiencë që shumë pronarë ndeshen këto 20 vitet e fundit. Ajo që po ndodh këtu me vendimin e qeverisë është vijimi politikave konfiskuese të ndërmarra nga Enver Hoxha shumë vite më parë. Sot jemi në 2013, jo në 1947-n. Kjo që po ndodh është një rikonfiskim i kësaj prone tani në kohën e demokracisë, në mes të ditës. E gjitha nuk mund të qëndrojë askund”, thekson Toptani për Top-Channel. Ai u shpreh se do t’i drejtohet sërish gjykatës. “Jam duke eksploruar të gjitha mundësitë ligjore këtu në Shqipëri, po ashtu në këtë çështje kam përfshirë këshilltarët e mi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hapur një dialog me autoritetet amerikane për të parë të gjitha mundësitë e ndërtimit të një presioni ndaj kësaj qeverie për ta rikthyer këtë pronë”. I pyetur nëse ekzistojnë mundësitë e përfshirjes së autoriteteve amerikane në këtë çështje, pronari legjitim i truallit ku është ndërtuar SHQUP-i pohon faktin se autoritetet amerikane janë të angazhuara në zgjidhjen e këtij problemi. “Po, ekzistojë këto mundësi. Do të ishte e parakohshme për të folur rreth tyre. Siç e dini, ambasadori Arvizu dha komentin e tij për këtë çështje. Unë po vijoj dialogun me autoritet amerikane, por nuk dua të jap detaje rreth këtyre bisedave pasi janë konfidenciale dhe ky komunikim do të vazhdojë”, u shpreh Toptani për shekulli online.

KOMENTE