English

Barack Obama: Nderhyrja ne Siri e nevojshme (VIDEO)

Presidenti Barack Obama tha sot se ai ka vendosur që Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë ushtarakisht në Siri si pasojë e sulmit me armë kimike që mendohet se qeveria siriane ka kryer, por shtoi se do të kërkojë autorizimin e Kongresit për çdo përdorim force.

Presidenti thotë se megjithëse ai e ka autoritetin të veprojë vetë, ai beson se është e rëndësishme që vendi të ketë një debat për këtë çështje.

Duke iu drejtuar vendit sot në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk mundet dhe nuk duhet “të mbyllin sytë para asaj që ndodhi në Damask”.

Ai shtoi se çdo ndërhyrje amerikane në Siri nuk do të ishte pa një afat kohor dhe nuk do të përfshijë trupa amerikane në terren. Zoti Obama tha se ndërhyrja amerikane do të jetë e kufizuar në objektiv dhe kohëzgjatje.

Ndërsa presidenti Obama fliste, para Shtëpisë së Bardhë, protestues jashtë saj hidhnin parulla dhe mbanin pankarta kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Siri.
Presidenti Obama tha se për një “mizori” me armë kimike nuk duhet vetëm të bëhen hetime, por edhe të merren masat e duhura.

Ai gjithashtu inkurajoi anëtarët e Kongresit që të marrin në konsideratë faktin se disa gjëra janë më të rëndësishme se sa “mosmarrëveshjet politike”, ndërsa shqyrtojnë përgjigjen amerikane ndaj Sirisë.

Një stuhi aktiviteti diplomatik po vazhdon lidhru me krizën në Siri. Ekipi i inspektorëve të OKB-së, të dërguar në Siri për të hetuar sulmet me armë kimike të javës së kaluar, u largua nga vendi sot vdhe mbërriti në Liban.

Ndërkohë Presidenti rus Vladimir Putin u bëri thirrje fuqive botërore të ushtrojnë vetëpërmbajtje lidhur me Sirinë. Ai tha sot se çdo ndërhyrje e huaj ushtarake në Siri do të jetë e "pakuptimtë" pasi forcat qeveritare siriane janë duke "përparuar" kundër rebelëve.

Dje, Shtetet e Bashkuara publikuan një raport zbulimi që thotë se sulmi kimik i Sirisë, më 21 gusht, vrau 1429 njerëz, duke përfshirë të paktën 426 fëmijë.
1866

KOMENTE