Kryeministri Berisha priti sot artistin holandez Jaap van’t Veer, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Alpet shqiptare.
Z. Jaap van’t Veer, duke e falënderuar Kryeministrin për takimin, u shpreh se nuk mund të mos e takonte para se të largohej nga detyra e Kryeministrit dhe t’i shprehte personalisht mbresat gjatë viteve të punës në Shqipëri. Kam dhjetë vjet që punoj dhe jetoj në Alpet shqiptare dhe jam dëshmitar i transformimeve të mëdha që kanë ndodhur në infrastrukturën dhe mentalitetin e shoqërisë shqiptare. Unë së bashku me një grup bashkëpunëtorësh punojmë në Alpet shqiptare, në Luginën e Valbonës dhe në Bjeshkët e Namuna, të cilat ne tashmë i quajmë Bjeshkët e Bekuara. Si shprehje të këtij vlerësimi, z. Jaap van’t Veer i dhuroi Kryeministrit një skulpturë, me të cilën, u shpreh ai, kam mishëruar disa nga etapat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, prej Skënderbeut, pushtimeve, lirisë dhe demokracisë, të simbolizuara me personin tuaj, që, në vlerësimin tim, jeni Gjergj Kastrioti i kohëve të sotme.
Kryeministri Berisha, duke e falënderuar për vlerësimet dhe veçanërisht për përkushtimin që tregon ndaj natyrës, historisë dhe aktualitetit shqiptar, i uroi punë të mbarë në misionin e tij fisnik. Populli shqiptar, natyra e truallit të tij, u shpreh Kryeministri, janë kthyer në frymëzim për shumë njerëz të famshëm, të cilët, nga ana e tyre, i kanë bërë të njohura botës virtytet e tij njerëzore dhe bukuritë natyrore të viseve shqiptare.